EMRAT/ Policia u ‘prish planet’ të rinjve që do shisnin 5 kg drogë, përfundojnë në pranga

5 të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi ishin të përfshirë në një rast të shitjes së 5 kg kanabis sativa.

Të arrestuarit janë shtetasi Alban Prendi, 25 vjeç, akuzohet për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kurse Erjan Perlleshi, 26 vjeç; Elsad Germaj, 22 vjeç; Shaban Nikolli(Germaj), 20 vjeç dhe Egzon Buzalli, 23 vjeç, akuzohen për “Moskallëzimi i krimit”.

Përmes një njoftimi zyrtar, policia bën me dije 2 prej tyre po transportonin lëndën narkotike, me automjet, ndërsa 3 të tjerët i shoqëronin me një automjet tjetër. Të pestë përfunduan në pranga.

Njoftimi i policisë: 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale, kanë finalizuar një tjetër operacion për goditjen e një rasti të tentativës për të shitur lëndë narkotike.  

Si rezultat i operacionit të koduar “Valiasi”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: 
-A. P., 25 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; 
-E. G., 22 vjeç, Sh. N.(G.), 20 vjeç (vëllezër), E. P., 26 vjeç dhe E. B., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. 

Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga burimet operative, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Valias, 2 automjetet e dyshuara, automjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin A. P. dhe pasagjer shtetasin E. P. dhe automjetin tip “Jaguar” që e ndiqte nga pas, me drejtues shtetasin E. B. dhe pasagjerë shtetasit Sh. N.(G.) dhe E. G, të cilët tentuan të largoheshin në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 5 kilogramë e 300 gramë, që dyshohet se po transportohej me qëllim shitjen.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.