Drejtori i KESH, Erald Elezi dhe kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, janë dy vartësit e Belinda Ballukut që Gjykata e Posaçme u ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
GJKKO vendosi edhe për Balluku që ta pezullojë nga detyra, teksa i ka hequr edhe të drejtën e largimit jashtë vendit.
Ky pezullim vjen pasi ajo u mor e pandehur nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë, ku akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Sipas Prokurorisë së Posaçme, akuzat lidhen me veprimet e ministres Balluku në cilësinë e saj si drejtuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në lidhje me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën SH8 (Vlorë–Sarandë).
Tenderi në fjalë është zhvilluar më 11 dhjetor 2020, ndërsa pas anulimit të tij, procedura është rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18.9 miliardë lekë.
Balluku dhe vartësit e saj akuzohen se i kanë shtuar tenderit për tunelin një vlerë rreth 50 milionë euro nga vlera e caktuar fillimisht.