EMRAT/ Ishte nisur për në punë, përplaset për vdekje 28-vjeçari në autostradën Tiranë-Durrës, 3 të tjerë në gjendje të rëndë

Një aksident tragjik është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën “Tiranë-Durrës”, ku një 28 vjeçar humbi jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Raportohet se viktima, Gëzim Muça dhe tre të plagosurit po lëviznin me një furgon dhe ishin nisur për në punë. Por mjeti me të cilin ata udhëtonin ka dalë nga rruga dhe është përplasur me trafikndarësen.

Pas aksidentit viktima dhe tre miqtë e tij kanë dalë të shohin dëmtimet, por një automjet ka ardhur me shpejtësi dhe i ka përplasur.

28-vjeçari Gëzim Muçaj ka ndërruar jetë teksa po transportohej në spital ndërsa 3 të aksidentuarit e tjerë, Eduart Ripa, Ervin Qira dhe Shkëlqim Doci ndodhen tek Trauma në gjendje të rëndë.

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 05:05, në autostradën “Tiranë-Durrës”, shtetasi Gëzim Muçaj, rreth 28 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë automjeti është përplasur me trafikndarësen.

Pasi ka dalë dalë nga automjeti, bashkë me 3 pasagjerët, gjatë kohës që qëndronin në rrugë, ata janë përplasur nga automjeti me drejtues shtetasin Ismail Laçe.

Për pasojë, shtetasi Gëzim Muçaj ka humbur jetën, ndërsa 3 pasagjerët e automjetit të tij janë dërguar në spital, për mjekim.

Shtetasi Ismail Laçe është shoqëruar në Komisariat, për veprime të metejshme proceduarale.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.