Një aksident i rëndë me dy të vdekur dhe tre të plagosur u regjistrua mëngjesin e kësaj të premteje në aksin rrugor Lezhë–Mabë.
Si pasojë e përplasjes së dy automjeve, humbën jetën çifti i bashkëshortëve, Petrit dhe Elona Florini.
Petriti, 53 vjeç, punonte si efektiv policie, ndërsa bashkëshortja e tij, Elona, 45 vjeçe, punonte si mësuese.
Gjithashtu, si pasojë e aksidentit janë dëmtuar tre pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F.L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.
Njoftimi i Policisë
“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor Lezhë–Mabë , në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F.L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P.F.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P.F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E.F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë.
Gjithashtu, janë dëmtuar tre pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F.L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.