Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje në Tiranë. Blutë e kryeqytetit kanë vënë në pranga Armando Kashari, 37 vjeç dhe pasagjer Amarild Zaçe, 39 vjeç pasi lëviznin të armatosur.
Gjatë kontrollit, Armando Kashari u kap me një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak në brez, duke çuar në arrestimin e tij për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Ndërkohë Amarild Zaçe u arrestua për “Moskallëzim krimi”.
Në momentin që u ndaluan nga policia, ata shfaqën shenja nervozizmi dhe pas kontrollit, policia gjeti armë dhe municion luftarak.
“Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Flagranca 2” në kuadër të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:
A. K., 37 vjeç, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe A. Z., 39 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Në kuadër të këtij operacioni, në rrugën “Isuf Elezi”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi A. K, dhe pasagjer A. Z. Gjatë intervistimit nga punonjësit e policisë të dy këta shtetas kanë shfaqur shenja nervozizmi. Në vijim të veprimeve, pas kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit A. K, shërbimet e Policisë kanë gjetur në brez një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale’, njofton policia.