EMRAT/ Dy punonjësit vjedhin mobilierinë, i shkaktojnë 160 milionë lekë dëm

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi akuzohen se i kanë shkaktuar një dëm të madh ekonomik një mobilierie ku ata punonin.

Florenc Begu dhe Sevastian Maci, në bashkëpunim me dy të tjerë vodhën në mobilieri materiale pune, prodhuan mobilie dhe i shitën pa i deklaruar. Sipas përllogaritjeve, ata i kanë shkaktuar kompanisë, 160 milionë lekë dëm ekonomik.

Njoftimi i policise:

“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Ërong calculation”.  Vodhën në mobilierinë ku punonin, materiale pune, prodhuan mobilie dhe i shitën pa i deklaruar, vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 2 bashkëpunëtorët e tyre.   

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në kuadër të veprimeve hetimore të kryera mbi kallëzimin e adiministratores së një kompanie me veprimtari në fushën e prodhimit dhe tregtimit të mobilieve, për vjedhje nga disa punonjës, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Ërong Calculation”. 

Si rezultat i operacionit:  u ndaluan shtetasit S. M., 31 vjeç, dhe F. B., 35 vjeç, me detyra respektive magazinier dhe përgjegjës në një mobilieri;  nisi procedimi penal për shtetasit K. D., 47 vjeç dhe O. D., 32 vjeç, me detyra përgjegjesa në mobilieri.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, kanë vjedhur materiale pune, kanë prodhuar mobilie me to dhe i kanë shitur ato, pa i deklaruar. Ata i kanë shkaktuar kompanisë, 16 milionë lekë të rinj dëm”, thuhet në njoftimin e policisë.