Elon Musk “fik” internetin për ushtrinë ruse, kaos në front: Ukraina rimerr disa territore

Vendimi i kompanisë SpaceX për të ndërprerë aksesin në rrjetin satelitor Starlink për njësitë ruse të paregjistruara ka shkaktuar çrregullim të menjëhershëm në vijën e frontit në Ukrainë, duke dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Moskës.

“Gjithçka që na ka mbetur tani janë radiot, kabllot dhe pëllumbat”, dëgjohet të thotë një ushtar rus në komunikime të përgjuara nga një njësi zbulimi ukrainase.

Sipas të dhënave, më 4 shkurt, SpaceX nisi verifikimin e detyrueshëm të terminaleve Starlink, duke bllokuar pajisjet e paregjistruara që përdoreshin nga forcat ruse në territoret e pushtuara.

Menjëherë pas ndërprerjes, ushtarët rusë u ankuan për dështimin e “Kosmos” dhe “Sinka”, emra të koduar që besohet se i referohen Starlink-ut dhe aplikacionit Telegram.

“Dreqi e mori! I kanë fikur të gjithë Starlink-ët”, dëgjohet të thotë një ushtar. “Lidhja ka ikur, krejtësisht. Pamjet nuk po transmetohen.”

Sipas një operatori zbulimi ajror të Brigadës Bureviy, i identifikuar me nofkën “Mustang”, që nga dita e ndërprerjes është vërejtur rënie drastike e zjarrit të artilerisë dhe mortajave ruse, si dhe ulje e sulmeve me dronë FPV.

Në ditët pas bllokimit, Ukraina arriti të rimarrë rreth 77 milje katrore territor në juglindje të vendit, sipas përllogaritjeve të agjencisë Agence France-Presse bazuar në të dhënat e Institute for the Study of War.

Ndërprerja e rrjetit satelitor kufizoi ndjeshëm koordinimin mes njësive ruse, duke krijuar hapësirë për kundërofensiva të lokalizuara ukrainase.

Që nga nisja e pushtimit rus në shkurt 2022, Starlink është kthyer në një element kyç në fushëbetejë, duke mundësuar operacione me dronë në kohë reale, korrigjim të saktë të artilerisë dhe komunikim të koduar përmes aplikacioneve si Signal dhe Telegram.

Në fazat e para të luftës, rrjeti satelitor i dha Ukrainës avantazh vendimtar, veçanërisht gjatë rrethimit të Mariupol në vitin 2022 dhe betejave të ashpra në Bakhmut në vitin 2023.

Analisti ushtarak Franz-Stefan Gady e ka cilësuar internetin satelitor si “një nga komponentët më të rëndësishëm të mënyrës së luftimit të Ukrainës”, duke theksuar se ai krijoi një “fushëbetejë gjysmë-transparente” përmes zinxhirëve të përshpejtuar të goditjes.

Megjithëse fillimisht i dha avantazh Ukrainës, me kalimin e kohës terminalet Starlink nisën të shfaqeshin gjithnjë e më shpesh në duart e forcave ruse në territoret e pushtuara. Autoritetet ukrainase pretenduan se pajisjet po bliheshin përmes vendeve të treta.

Madje, sipas burimeve ukrainase, në qytetin e pushtuar Kreminna kishte një dyqan ku ushtarët rusë mund të blinin terminale Starlink që nga viti 2024.

Një pjesë e madhe e këtyre pajisjeve nuk ishin të regjistruara në Rusi, gjë që i bëri të cenueshme ndaj sistemit të ri të verifikimit të vendosur nga SpaceX. Vetëm pajisjet e miratuara dhe të vendosura në “listën e bardhë” të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës mbetën aktive.

Edhe pse deri në mes të shkurtit bombardimet ruse u rritën sërish, analistët besojnë se Moska nuk ka rikthyer plotësisht kapacitetet e humbura.

Sipas burimeve ukrainase, forcat ruse janë detyruar të mbështeten më shumë në komunikimin me radio, gjë që rrit rrezikun e përgjimeve. Përpjekjet për të përdorur terminale alternative satelitore ruse hasin vështirësi për shkak të shpejtësisë më të ulët të lidhjes dhe madhësisë së pajisjeve, që i bën më të lehta për t’u zbuluar.

Ekspertët vlerësojnë se ndërprerja e Starlink nxori në pah kufizimet e ushtrisë ruse në përshtatjen e shpejtë teknologjike, duke krijuar një mundësi të re për mbështetësit perëndimorë të Ukrainës për të forcuar më tej kapacitetet e Kievit në këtë fazë të luftës.