Elisa Spiropali ishte ylli në ngjitje i Partisë Socialiste, e ardhur si opozitare e devotshme nga “MJAFT”, ku së bashku me anëtarët e tjerë fituan simpatinë e shqiptarëve dhe besimin se do të ishin të rinjtë që do të ndryshonin mënyrën se i ishte qeverisur ky vend prej vitesh.
Të gjithë e mbajnë mend mirë Elisën e “MJAFT-it”, me bluzat e vjetra, por me ide të reja dhe denoncime të problemeve të shqiptarëve, me një zell që çdokush do e kishte zili.
Por, pushteti ka ndryshuar liderë të mëdhenj, ndaj kështu bëri edhe me Elisa Spiropalin.
Kalimi te Partia Socialiste i bëri mirë Elisës në aspektin personal, pasi u zgjodh fillimisht në krye të FRESSH, ndërsa pas disa viteve si drejtuese e të rinjve socialistë, iu besua detyra e Drejtoreshës së Doganave.
Kjo detyrë, e para me rëndësi për Elisën, solli edhe shndërrimin e saj nga një akuzuese, në të akuzuar. Gjatë kohës që shërbeu në krye të Doganave, ky institucion u përball me skandale të shumta, duke detyruar Spiropalin të japë dorëhqjen me arsyen se do të lindte një fëmijë.
Pushteti i socialistëve do të forcohej edhe më shumë në vitin 2017, kur Rama mori vetëm për vete “tepsinë” që propagandonte në çdo fushatë. Elisa, si një nga mbështetëset e tij më të mëdha, sa në fushatën e vitit 2017 e qujti edhe “Skënderbe”, mori shpërblimin e parë nga kryeministri.
Rama e bëri deputetet fillimisht, ndërsa në vitin 2019 e zgjodhi si ministre të Shtetit për Parlamentin. Ky dukej se ishte hapi i parë i Elisës drejt majës në politikë.
Por, në rrugën e saj u shfaq një tjetër person që do t’i merrte jo vetëm, vëmendjen e Ramës, por edhe pushtetin që kishte ëndërruar, Belinda Balluku.
Kjo e fundit, një njohje e vjetër e Ramës prej kohës kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, nuk ngjiti shkallët si Spiropali, por “ashensori” i PS-së e katapultoi nga Drejtoreshë e ALBCONTROL në Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, një nga ministritë më të rëndësishme në vend, teksa në vitin 2022 do të merrte edhe postin e zv.kryeministre, duke u shndërruar në një nga njerëzit më me pushtet në parti.
Por Elisa nuk i humbi shpresat, pasi ajo dhe çdokush tjetër e dinte mirë se meritonte më shumë se ministre për Parlamentin për atë që kishte dhënë për Partinë Socialiste ndër vite, së bashku me Taulant Ballën.
Ky i fundit të paktën e mori detyrën që priste prej vitesh, ndonëse rrugëtimi i tij si Ministër i Brendshëm nuk i mbushi 365 ditë.
Ndryshimet në qeveri në Korrik të këtij viti u pritën me interes nga të gjithë, teksa shumë mendonin se kishte ardhur koha që Elisa Spiropalit t’i besohej një ministri e rëndësishme, pasi shumë prej ministrave në qeveri po dështonin ditë pas dite.
Por, emrin e Elisa Spiropalit, kryeministri Rama e lidhi me kryetaren e Kuvendit. Për çdo politikan do të kishte qenë një vlerësim, por jo për Elisa Spiropalin, që e tregoi me reagimin e saj kur dëgjoi emrin se nuk ishte e kënaqur.
Posti i Kryetares së Kuvendit do të duhet t’i jepet një politikane më të madhe në moshë, dhe jo një politikane si Elisa Spiropali, që synon shumë më shumë. Këtu fillon edhe rënia e Elisa Spiropalit.
Lufta brenda Partisë Socialiste ka qenë gjithmonë mes Belinda Ballukut dhe Erion Veliajt, por kur zihen dy vetë, në fund fiton i treti. Ky i treti që rrinte gjithmonë në pritje, ishte Elisa Spiropali.
Elisa Spiropali nuk kritikoi asnjëherë asnjë nga kolegët e partisë, madje i ka dalë në mbrojtje çdokujt, si një mënyrë për ta patur mirë me të gjithë.
Por, kur asnjë nuk e priste, Elisa Spiropalit i bënë “dush të ftohtë” në mbledhjen e grupit parlamentar, me arsyen se kishte lejuar të fliste më shumë se sa duhej opozitën. Belinda Balluku hodhi akuza se kryetarja e Kuvendit është nën presion nga Gazment Bardhi, duke lënë të aludohet për akuzat e kreut të Grupit të PD-së.
Gazment Bardhi e akuzon Spiropalin se ka marrë dhurata nga Pëllumb Gjoka, biznesmeni “strategjik” që u burgos për shkak të dosjes “Metamorfoza”.
Balluku nuk ishte e vetme, por në mbështetje të saj dolën edhe Taulant Balla, Erion Braçe dhe Blendi Klosi, tre deputetë shumë të afërt me Ramën, çfarë tregon se kritikat mund të kenë qenë një paralajmërim indirekt i kryeministrit për “Mamicën” e tij.
Ndryshe nga ajo që ishim mësuar të shihnim ndër vite, ku Spiropali nuk intimidohej nga asnjë akuzë, seanca e fundit plenare nxori në dukje një tjetër Elisë. Atë Elisën e dobët, të frikësuar se mos gabonte sërish.
Seancën e fundit, Spiropali ishte më e ngurtë, më e rreptë me opozitën, çfarë iu vu në dukje edhe nga deputetët e opozitës. Por, ishte detyra e saj të bënte autokritikë para shokëve dhe shoqeve të partisë, për të shmangur një tjetër fletë-rrufe.
Ajo dukej se në çdo moment që i përmendnin ndryshimin rrënjësor në sjellje ishte gati të shpërthente: “Boll, mjaftë më!”
Elisa, ndoshta me zëmër të thyer dhe me besimin e lëkundur te të gjithë, e kupton se ëndrrat e saj të pushtetit kanë marrë fund, dhe fundi u erdhi nga Belinda Balluku.
Kësaj të fundit, ajo zgjodhi t’i nënshtrohej! I zbatoi me përpikmëri këshillat e saj se si duhet të sillet në Kuvend, duke marrë përsipër përgjegjësinë për të mos pranuar interpelancën me Ramën, dhe duke shtyrë sa të jetë e mundur interpelancën e vetë Ballukut me Agron Shehajn.
Sot, pas Ramës, pushteti i Partisë Socialiste po kalon gjithmonë e më shumë te Belinda Balluku, e cila duket se ka fituar betejat me kundërshtarët e saj të brendshëm, Veliajn e më pas Spiropalin. Të tjerët, as që llogariten.