Në mesin e shumë figurave të shquara që u shfaqën gjatë epokës së ndalimit me ligj të konsumit të pijeve alkoolike (Prohibiconit), një njeri spikati dukshëm mbi të tjerët:Eliot Nes, një ish-hetues modest i kërkesave për sigurime tek kompanitë e sigurimit.
Gjatë punës së tij në Byronë e Prohibicionit, Nes fitoi imazhin e një njeriu të ndershëm dhe shumë efektiv, tipare që ishin të vështira të gjendeshin në Çikagon e asaj kohe. Duke sfiduar të gjitha shanset për të pasur sukses, Nes dhe ekipi i tij i agjentëve specialë, “Të Paprekshmit”, ndihmuan për të rrëzuar nga piedestali gangsterin famëkeq Al Kapone, dhe për të çmontuar një perandori vesesh që e kishte infektuar çdo cep qytetin.
I lindur në Çikago më 19 prill 1903, Eliot Nes u rrit nga prindërit e tij, dy emigrantë norvegjezë.
Kur iu bashkua Departamentit të Thesarit në fund të viteve 1920 – falë lidhjeve dhe inkurajimit nga kunati – Byroja e Prohibicionit cilësohej si një dështim.
Ndonëse prodhimi, transporti dhe shitja e alkoolit ishte nxjerrë jashtë ligjit me Aktin Volstead, shumë fabrika birre dhe distileri në qytet i lejuan me kënaqësi figurat e botës së krimit – si Xhoni Torrio dhe mëkëmbësin e tij brutal Al Kapone – të merrnin përsipër aktivitetin e tyre.
Dhe shumë zyrtarë publikë paguheshin me shuma të mëdha, për të bërë sikur nuk i shihnin shkeljet. Nga policët e thjeshtë, e deri tek politikanët e zgjedhur me votë, autoritetet në Çikago pranonin deri në 30 milionë dollarë ryshfete në vit. Kjo e bëri Çikagon një nga vendet më të korruptuara në SHBA-në e gjatë asaj epoke.
Nes u bë agjent i Prohibicionit, pavarësisht kundërshtimit të disa prej të afërmve të tij. Sepse agjentët e kësaj zyre shiheshin me përçmim nga publiku. Eliot ishte një njeri kontradiktor, i njohur si shumë i sinqertë dhe refuzues ndaj çdo ryshfeti që i ofrohej. Por nga ana tjetër, dihej se pëlqente të rrëkëllente në fshehtësi disa gota alkool në ditë.
Pavarësisht fiksimit të tij mbi alkoolin, Nes ishte i përkushtuar të eliminonte industrinë e paligjshme të pijeve alkoolike. Dhe kjo në kohën e një korrupsioni të shfrenuar në Amerikë. Siç u shpreh në një rast zyrtarja e Departamentit të Drejtësisë, Mabel Uoker Vilbrand “nga popullsia jonë 120-milionëshe… është e pamundur të gjesh 4.000 burra në Shtetet e Bashkuara që të mos blihen nga krimi”.
Ndërkohë, prokurori amerikan Xhorxh Xhonson ishte i vendosur të gjente disa nga këta burra, që do ta ndihmonin në kapjen dhe burgosjen e Kapones. Ai planifikoi një sulm të dyfishtë ndaj tij:Ndërsa një ekip ekspertësh të taksave hapën regjistrat fiskalë të Kapones, një skuadër policësh do të pengonte operacionet e gangsterit të famshëm, dhe do të kërkonte prova të mëtejshme për shkeljet e ligjeve të Prohibicionit.
Eliot Nes u caktua menjëherë në krye të njësisë në vitin 1930. Edhe pse legjenda thotë se i përzgjodhi personalisht agjentët më të ndershëm që mundi të gjente, e vërteta është se në fillim ekipi pranoi cilindo që u paraqit. Disa qëndruan vetëm disa ditë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël do të qëndronin deri në fund pranë Nes.
Këtu përfshihej Xho Lizën, Pol Robski dhe Samuel Siger. Detyra e tyre ishte të organizonin bastisje të befasishme në distileritë dhe birraritë ilegale të mafies së Çikagos, duke ndërprerë flukset e parave që përfundonin ne xhepat e Al Kapones.
Në atë kohë, ky i fundit ishte ndër njerëzit më të pushtetshëm në SHBA, kontrollonte pjesë të mëdha të botës së krimit, dhe fitonte çdo vit miliona dollarë nga prodhimi dhe shitja e paligjshme e pijeve alkoolike. Brenda 6 muajve të parë, Eliot Nes dhe njerëzit e tij zbuluan dhe mbyllën 19 distileri dhe 6 fabrika të mëdha birre, duke bërë që Kapone të humbiste 1 milion dollarë.
Edhe pse mafia e Çikagos kishte ende shumë të ardhura të tjera, këmbëngulja e Nes e bëri gjithnjë e më problematik për Kaponen. Në fillim, gangsteri provoi një qasje të butë, duke joshur njerëzit e tij me zarfet plot me para. Madje, një nga njerëzit e Kapones shkoi dhe e takoi vetë Nesin në zyrë.
Killeri kryesor i Kapones i propozoi një pagesë prej 2000 dollarësh në javë, nëse “do ta merrte lehtë” detyrën. Por Nes e refuzoi me vendosmëri ofertën dhe e urdhëroi të largohej. Kur ryshfetet nuk funksionuan, Nes u vu në shënjestër të kërcënimeve dhe madje edhe disa sulmeve.
Makina iu vodh disa herë, zyrat e tij u bastisën, telefoni iu përgjua. Madje në një rast kapi një nga njerëzit e Kapones duke spiunuar shtëpinë e prindërve të tij. Megjithatë refuzoi të tërhiqej. Madje ai thirri gazetarët në zyrën e tij, të cilëve u deklaroi se ai nuk do të blihej kurrë nga Kapone, dhe as ndonjë nga agjentët e tjerë të ekipit të tij.
Nisur nga ky qëndrim gazetari Çarls Shvarc nga “Chicago Daily Neës” i etiketoi si të “Të Paprekshmit” ekipin e Nes. Deri në mesin e vitit 1931, agjentët grumbulluan prova të mbi 5000 shkeljeve të Aktit Volstead të lidhura me Kaponen dhe organizatën e tij kriminale. Në fund, përpjekjet e tyre do t’i kushtonin rreth 9 milionë dollarë të ardhura mafies së Çikagos.
Por në fund, bosi i madh u burgos për shkak të evazionit fiskal, dhe jo nga shkeljet e Aktit Volstead. S’ka dyshim se Nes dhe “Të paprekshmit” ndihmuan në gjetjen e burimeve të paligjshme të Kapones, duke e privuar këtë të fundit nga një kapital shumë i nevojshëm.
Por ata nuk kishin shumë lidhje direke me gjyqin për evazionit fiskal, dhe për rrjedhojë nuk ishin përgjegjës për rënien e tij përfundimtare. Kjo meritë i njihet special Frenk J.Uillson, i cili punonte për Njësinë e Inteligjencës të IRS (Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme).
Duke udhëhequr një ekip kontabilistësh të thjeshtë, Uillson analizoi për 18 orë në ditë dhe 7 ditë të javës librat fiskalë. Ishte ai zbuloi shkeljet e Kapones në një bllok ku ishin shënuar të ardhurat nga kumari. Pas gjetjes së kontabilistit të Kapones, Uillson ishte në gjendje të gjurmonte të ardhurat e bosit.
Kjo do të ndihmonte në grumbullimin e provave se Kapone nuk kishte paguar 215.000 dollarë taksë mbi të ardhurat. Përpjekjet e Uillson sollën dënimin e Kapones me 11 vjet burg për evazion fiskal në vitin 1931. Ekipi i Nes u shpërbë menjëherë pas përfundimit të gjyqit ndaj Kapones.
Në këto kushte Nes u përpoq të bëhej pjesë e FBI-në, por u refuzua nga kreu i tij Xh.Edgar Huver. Për ta mënjanuar Nes u transferua në Kleveland në vitin 1934 për të udhëhequr Zyrën Rajonale. Vetëm një vit më vonë, do të bëhej Drejtor i Sigurisë së qytetit. Edhe atje u bë i famshëm për shkarkimin e 200 policëve të korruptuar dhe për luftën e pa kompromis kundër mafies lokale.
Megjithatë, fama e tij nisi të zbehej dalëngadalë, teksa Prohibicioni u bë një kujtim i largët. Me kalimin e kohës, u zbeh edhe reputacioni i tij si një ligjvënës korrekt. Në vitin 1942, u kap pasi kishte shkaktuar një aksident dhe po përpiqej të largohej nga vendngjarja. Doli se e kishte drejtuar makinën në gjendje të dehur.
Edhe pse nuk pati viktima, incidenti ia dëmtoi imazhin e tij. Po ashtu, edhe fakti që ishte divorcuar nga gruaja e tij e parë,gjë që u pa me sy të keq në një qytet kryesisht katolik. Pas asaj ngjarjeje Nes u largua nga puna si agjent i zbatimi i ligjit, duke zgjedhur pozicione të ndryshme në qeverinë federale dhe sektorin privat, përpara se të ngrinte një sërë biznesesh të pasuksesshme.
S’kaloi shumë kohë dhe ai po e kalonte shumicën e kohës duke pirë nëpër bare, dhe duke rrëfyer herë pas here ditët e tij të lavdisë me “Të Paprekshmit”. Në mesin e viteve 1950, takoi shkrimtarin Oskar Fralej që shfaqi një interes mbi historinë e përballjes së tij me Al Kaponen. Rrëfimet e tij përbëjnë bazën e librit shumë të shitur të vitit 1957 “Të Paprekshmit”. Ai u pasua nga një seri televizive gjatë viteve 1960 dhe një film në vitin 1987 me të njëjtin titull. Megjithatë Eliot Nes nuk jetoi gjatë për të përjetuar edhe njëherë famën. Vdiq nga një atak në zemër në moshën 54-vjeçare po në vitin 1957, pak javë para botimit të librit.