Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 16 vite burg për Elsi Levendin, i akuzuar si vrasësi i Jurgen Kurtit, ngjarje e ndodhur në 18 mars 2019 në afërsi të banesës së viktimës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Levendi do të vuajë 10 vite e 8 muaj burgim.
Ky i fundit kishte kërkuar prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, pasi sipas tij, çështja penale për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim nuk duhej të fillonte.
Kush ishte viktima?
Jurgen Kurti ishte ndaluar nga policia dy herë për përfshirjen në dy vrasje.Në 2016 ai u arrestua së bashku me dajën Leonad Ristani për vrasjen e babait të Jurgenit, Artur Kurti. Por daja mori përsipër autorësinë e vrasjes dhe Jurgeni u lirua.
Një vit më vonë ai do të përfshihej në një tjetër ngjarje, kësaj here për vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi. Ai u arrestua së bashku me vjehrrin e tij, Konstadin Ekonomi dhe vëllanë e tij, Kujtim Ekonomi për vrasjen për motive pronësie.
Pas verifikimit të pamjeve filmike e provave në vendin e ngjarjes rezultoi se vrasja është realizuar nga dy vëllezërit Ekonomi për motive të dobëta, ndërkohë që dhëndri i njërit prej vëllezërve, Jurgen Kurti nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e rëndë, kështu që u lirua.