Ekzekutimi në Vaun e Dejës/ Viktima ish-polic, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kushëririt! Familja e kishte braktisur pas lirimit

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshmë në Vaun e Dejës ku 65 vjeçari Frrok Lleshaj u gjet i vrarë me armë zjarri.

Trupi i pajetë u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë Policinë. Viktima ishte me të kaluar kriminale, teksa më herët kishte qenë efektiv policisë deri në vitin 1994.

Lleshaj ka qenë i dënuar për vrasjen e kushëririt të tij Dodë Lleshaj, ngjarje për të cilën ka bërë 25 vite burg. Ai ishte liruar nga burgu dy vite më parë, pasi kishte përfunduar dënimin.

Lidhur më vrasjen e kushëririt, krim që ai nuk e pranoi kurrë, ai u arrestua më 1995, por u arratis në vitin 1997 nga burgu gjatë trazirave. Sipas të dhënave, mësohet se Lleshaj, u arrestua më vonë, ku vuajti dënimin e Gjykatës së Shkodrës të vitit 2006 dhe u lirua më 2023.

Sipas burimeve, 65-vjeçari jetonte i vetëm në fshat dhe merrej me blegtori, pasi ishte braktisur nga familja pas lirimit nga burgu.

Ai është qëlluar ndërsa ecte në rrugët e fshatit Paçram, dhe dyshohet se motivi kryesor i vrasjes është hakmarrja.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.