Ekzekutimi i biznesmenit në Sarandë, një konflikt për pronësinë u bë shkak për vrasjen

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Gjashtës, në Sarandë, ku mbeti i vrarë pronari i një karburanti, Rexhep Ismaili.

Sipas informacioneve, viktima dhe autori i dyshuar kishin pasur një konflikt të mëparshëm. Burime bëjnë me dije se njëra prej palëve ka shkuar në karburantin e vëllezërve “Ismaili” për t’u sqaruar lidhur me përplasjen mes tyre, por situata ka degraduar fillimisht në debat verbal dhe më pas në përplasje fizike.

Në momentin e ngjarjes, Rexhep Ismaili ndodhej në ambientet e lokalit të biznesit të tij, i ulur në tavolinë me persona të tjerë, kur autori i armatosur dyshohet se ka hapur zjarr me pistoletë në drejtim të tij, duke e goditur me plumb në kokë. Si pasojë e plagëve të marra, Ismaili humbi jetën në vend.

Menjëherë pas të shtënave, personat që ndodheshin brenda lokalit kanë reaguar duke nxjerrë një armë automatike dhe duke qëlluar me breshëri në drejtim të autorit, i cili po tentonte të largohej nga vendngjarja. Për disa momente, zona është përfshirë nga të shtëna të shumta armësh, duke krijuar panik mes të pranishmëve.

Pavarësisht kundërpërgjigjes me armë zjarri nga njerëzit pranë viktimës, autori i dyshuar ka arritur të largohet. Dyshohet të ketë edhe persona të plagosur nga pala tjetër, megjithatë ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi numrin dhe gjendjen e tyre.