Ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan, pak ditë më parë ishte përfshirë në një konflikt

Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi me armë i biznesmenit Mondi Mëhalla mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit.

43 vjeçari u ekzekutua me 3 plumba brenda mjetit të tij të parkuar në afërsi të karburantit që kishte në pronësi. Autorët dyshohet se kanë qenë dy dhe janë larguar menjëherë, duke përfituar edhe nga errësira.

Burime për mediat bëjnë me dije se ai ishte përfshirë në një konflikt pak ditë më parë. Policia ka shoqëruar disa persona, ndërsa dëshmitarët kanë thënë se nuk kanë patur mundësi të shohin për shkak se automjeti i viktimës ka qenë i parkuar pak më larg vendit ku ndodhej biznesi.

 Automjeti i përdorur nga atentatorët dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili u largua me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd. Po hetohen disa pista, pasi 43 vjeçari nga hetimet ka rezultuar i skeduar dhe i proceduar për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.