Është ekstraduar nga Spanja, Juxhin Drazhi, pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Ervis Doçi, i njohur ndryshe si Visi i Pojës.
Në prill, GJKKO i caktoi Juxhin Drazhit masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për tre vepra penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ai u arrestua më 8 gusht në një shtëpi luksoze në Almuñécar (Granada) nga oficerët e Gardës Civile të Malagas. Oficerët zbuluan se i dyshuari kishte qëndruar brenda shtëpisë, duke përdorur bashkëpunëtorë për t’u furnizuar me gjithçka që i nevojitej, me qëllim shmangien e arrestimit. Shtëpia luksoze ishte e pozicionuar në një lartësi, duke i ofruar atij një pikë vëzhgimi për çdo afrim të mundshëm të policisë.
Gjatë kontrollit të pronës, u gjetën dokumente të falsifikuara (pasaportë dhe patentë shoferi), sende luksi dhe një armë zjarri me silenciator dhe karikatorë.
Njoftimi:
Interpol Tirana
Ekstradohet nga Spanja, 1 shtetas që akuzohet nga GjKKO, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe Belgjikë.
Në vijim të bashkëpunimit shumë të ngushtë ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Madrid, u finalizua në kuadër të operacionit “The Ëanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
J. D., 34 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se shtetasi J. D. ka qenë pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe në Belgjikë.