Ekstradohet nga Gjermania një i kërkuar për mashtrim kompjuterik


Një 35-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit “The Wanted”.

Në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, autoritetet shqiptare kanë sjellë shtetasin Eltion Logu, 35 vjeç, i lindur në Tropojë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

GJKKO i kishte caktuar atij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “mashtrimi kompjuterik”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Nga hetimet paraprake dyshohet se Logu, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qenë pjesë e një grupi që operonte përmes një call center-i të zbuluar gjatë vitit 2024. Ky grup dyshohet të ketë realizuar 17 raste ose tentativa të mashtrimit kompjuterik.

Sipas të dhënave hetimore, nga këto aktivitete u është shkaktuar qytetarëve një dëm financiar që arrin në rreth 187 mijë euro.

Njoftimi:

Finalizohet një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.

Pjesëtar i një grupi kriminal që nëpërmjet mashtrimit në call center, iu shkaktoi qytetarëve, rreth 187 000 euro dëm, ekstradohet nga Gjermania, 35-vjeçari.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Wiesbaden, në vijim të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Gjermania në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. L., 35 vjeç, të lindur në Tropojë.

Në muajin korrik 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të disa shtetasve.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. L. dhe shtetas të tjerë, të organizuar si grup, nëpërmjet një call center-i të zbuluar në vitin 2024, kanë kryer 17 raste/tentativa të mashtrimit kompjuterik.