Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të anullojë tenderin për dezinfektimin e mushkonjave në zonat bregdetare dhe urbane të qarkut Durrës, me fond limit 15.479.671 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datë 13.06.2023 nga autoriteti kontraktor, Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara.
Pjesëmarrës në këtë tender kanë qenë 5 operatorë ekonomikë:
1. “Florfarma” SHPK 10.055.023.272 kualifikuar
2. “RSM Company” SHPK 10.800.000 skualifikuar
3. BOE “Egian Med” SHPK & “Vlera” SHPK 12.389.232 skualifikuar
4. BOE “AFA Group” SHPK & “Du&Ko” SHPK 13.899.964 skualifikuar
5. “NRG” SHPK 14.640.768 kualifikuar
Në datën 30.06.2023, në Sistemin e Prokurimit Elektronik është publikuar Njoftimi i Fituesit Paraprak të procedurës së prokurimit, “Florfarma” SHPK.
Por 6 ditë më pas, operatori tjetër i kualifikuar, “NRG”, ka paraqitur ankesën pranë Komisionit të Prokurimit Publik, ku kundërshton kualifikimin e ofertës të paraqitur nga operatorët ekonomikë “Florfarma” SHPK.
“Bazuar sa më sipër, po paraqesim këtë formular ankese duke kërkuar skualifikimin e ofertës së OE “Florfarma” SHPK. Produkti Aquatain që ka ofertuar ky OE për kryerjen e shërbimit nuk plotëson kërkesat ligjore dhe ato teknike të dokumentave të tenderit”, thuhet në ankesën e “NRG”.
Sipas ankesës, është kualifikuar një operator ekonomik me:
1.Një produkt që nuk përmbush specifikimet teknike të tenderit gje e cila jo e skualifikon
automatikisht.
2.Nuk ka të dhëna shkencore të çertifikuara nga ente europiane.
3.Nuk ekziston kuadër ligjor shqiptarë që rregullon përdorimin dhe administrimin gjë e cila
merr rëndësi të veçantë kur flasim për një program kombëtar të kontrollit të
mushkonjave.”
Pas pranimit të ankesës së “NRG”, Komisioni i Prokurimit Publik e mori në shqyrtim dhe vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e operatorit ekonomik “NRG”.
Gjithashtu KPP urdhëroi autoritetin kontraktor, në këtë rast Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara, që të anulojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për kualifikimin e operatorit ekonomik “Florfarma” SHPK, dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara, duke e skualifikuar këtë operator ekonomik.
Por ky tender nuk ka kaluar pa u vënë re nga Prokuroria e Posaçme. SPAK ka vendosur të hetojë më shumë për tenderin për dezinfektimin e mushkonjave, i cili në total në të gjithë vendin kap vlerën e më shumë se 1 milionë euro.
Prokurorët e SPAK po hetojnë dhnien e këtij tenderi një operatori që nuk ka përmbushur kushtet, ndërkohë që nën hetim janë vendosur disa zyrtarë të Institutit të Shëndetësisë Publike, mes të cilëve edhe shefja e Departamentit të Epidemiologjisë Silva Bino, e cila ka dhënë dëshminë e saj në SPAK.
Dyshimet janë se anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave për këtë proçedurë prokurimi kanë favorizuar kompaninë fituese duke e kualifikuar pa plotësuar kriteret e vendosura. Tashmë çështja është në dorën e SPAK, por këtë vit nuk u bë i mundur dezinfektimi i mushkonjave, duke sjellë probleme për pushuesit në zonat bregdetare.
“Florfarma” SHPK administrohet nga Arjola Todhe dhe është një kompani që ka përfituar shumë tendera në sektorin e Shëndetësisë. Kjo kompani ka përfituar 1508 kontrata publike, me vlerë prej më shumë se 6 milionë euro. Pjesën më të madhe e ka marrë nga Spitali i Gjirokastrës dhe nga Ministria e Shëndetësisë.


