Ekonomia e varur nga paraja e pistë, ndërprerja e menjëhershme rrezikon shuarjen e 10 mld eurove

Duhet kuptuar se problemi më i madh i krijuar nga trupëzimi për një kohë të gjatë i parasë së pistë në ekonomi është se tashmë ajo është shndërruar në një komponent real, me peshë reale dhe me efekt real brenda arkitekturës makroekonomike.

Janë dy pozicionet ku ajo luan rol thelbësor.

I pari është ndikimi në sektorët e ekonomisë, specifikisht në atë të ndërtimtarisë dhe të shërbimeve. Kryesisht, sektori i ndërtimtarisë ka varësi gati jetike, për të vazhduar të performojë, nga furnizimi me para që vijnë nga jashtë ekonomisë së pastër.

Kjo sepse, në të gjithë parametrat, ky sektor ka tejkaluar pikën e ekuilibrit natyror të kërkesës.

Pra, sot Shqipëria ka shumë më tepër ndërtime sesa ç’ka nevojë organike për të përmbushur kërkesën e saj për hapësira rezidenciale, qoftë për familje, qoftë për biznese. Kemi më shumë shtëpi sesa ç’na duhen për popullsinë dhe kemi më shumë rezidenca biznesi sesa ç’i duhen realisht biznesit.

Në mungesë të kërkesës organike, sektori ka performuar falë kapitalit që vjen nga jashtë ekonomisë dhe sot varësia e tij nga ky kapital është jetike.

Sektori i shërbimeve, nga ana tjetër, ka pësuar fryrje që ka ardhur pikërisht nga fakti se, në shumë raste, ai është përdorur si mekanizëm në procesin e pastrimit të parave. Kjo ka zhvendosur në këtë sektor një pjesë të mirë të kapitalit.

I dyti është kursi i këmbimit. Kursi aktual që kemi nuk është një kurs që bazohet në raportet e kërkesës dhe ofertës për monedhë të huaj që gjeneron ekonomia. Janë përsëri faktorë jashtë ekonomisë së pastër, pra kapitali që vjen nga jashtë ekonomisë, ata që kanë përcaktuar këtë kurs këmbimi të deformuar që kemi sot.

Në rast të një ndërprerjeje të menjëhershme të parasë që vjen nga jashtë ekonomisë së pastër, ndikimi do të ishte traumatik, deri në shok klinik, për të gjithë ekonominë, por edhe përtej saj. Natyrisht, sektori i ndërtimit do të kalonte i pari në vdekje klinike.

Rënia e kërkesës në nivele prej 70% do të niste spiralen e vdekjes.

Ulja e kërkesës do të sillte uljen e çmimeve. Ulja e çmimeve do të krijonte panik tek ata që i kanë përdorur njësitë ndërtimore, si apartamentet, zyrat, garazhet etj., dhe ata do të nxirrnin në treg stoqe që sot janë të fjetura.

Dalja e një sasie të madhe stoku në treg, duke pasur parasysh se, nga ana tjetër, kërkesa reale, me para të pastra, është jashtëzakonisht e vogël, do t’i ulte edhe më shumë çmimet.

Flluska do të plaste dhe tregu do të kalonte në kaos të plotë. Kompanitë do të falimentonin njëra pas tjetrës. Do të shpëtonin vetëm ato që do të gjenin mundësinë të përfitonin nga tenderët e shtetit.

Nga ana tjetër, problemi i vërtetë do të niste kur kriza e sektorit të transferohej te stoku i kredive që bankat kanë dhënë për këtë sektor. Sektori financiar do të pësonte goditje shumë të fortë, ndoshta edhe fatale.

Pikë së pari, me një ekspozim në nivelin e 1.2 miliardë eurove në ndërtimtari dhe pasuri të paluajtshme, goditja e parë sistemit do t’i vinte pikërisht nga paratë që bankat presin të marrin nga kreditë e dhëna për blerjen e apartamenteve, ose për financimin e ndërtimtarisë si aktivitet ekonomik.

Por nuk ndalet këtu. Duke qenë se kriza në sektorin e ndërtimit do të prekte të gjitha pasuritë e paluajtshme, pra do të zhvlerësoheshin të gjitha objektet ndërtimore dhe jo vetëm ato të rejat, si dhe duke pasur parasysh se një pjesë të mirë të kolateralit për të gjithë stokun e kredive prej 5 miliardë eurosh e përbëjnë pasuritë e paluajtshme, atëherë infeksioni do të prekte të gjithë stokun e kredisë.

Bankat do të humbnin levën e sigurisë së kolateralit, pasi kolaterali i zhvlerësuar do t’i linte ato të pambuluara dhe, rrjedhimisht, do të nxiste mosshlyerjen e kredive, duke e çuar në kolaps të gjithë sistemin financiar.

Kjo, natyrisht, do të shoqërohej me falimentime ose shtetëzime bankash, me aktivizimin e sigurimit të depozitave dhe do të kërkonte lehtësim sasior nga ana e Bankës së Shqipërisë për përballimin e situatës.

Ky lehtësim sasior do të ishte si kripa në plagë për atë që do të ndodhte në krahun tjetër.

Problemi më i madh nga një ndërprerje e menjëhershme e kapitalit që vjen nga jashtë ekonomisë nuk është rrëzimi i sektorit të ndërtimit dhe as kriza në sektorin financiar. Problemi më i madh është rrëzimi i kursit të këmbimit.

Zhvlerësimi i Lekut do të vinte në mënyrë të menjëhershme, pra brenda disa javësh ose ndoshta dy deri në tre muaj. Bazuar në të dhënat aktuale të ekonomisë së pastër dhe nëse i krahasojmë ato me periudhat e mëparshme, kur nuk kemi pasur infiltrim të parasë nga jashtë ekonomisë, kursi natyror i këmbimit do të ishte në nivelin 1 euro me 130-140 lekë.

Tani, importet kanë marrë peshë shumë të madhe në ekonomi, pasi, për shkak të kursit të këmbimit, prodhimi shqiptar ka humbur terren në mënyrë eksponenciale.

Duke qenë se importet zënë rreth 70% të konsumit dhe diçka më shumë tek investimet, atëherë zhvlerësimi i monedhës me 45-55% do të prodhonte inflacion minimalisht në nivelin 30-40%.

Për familjet shqiptare, kjo do të nënkuptonte shuarjen e pasurisë dhe të të ardhurave me minimalisht 30-40%, brenda një periudhe shumë të shkurtër. E njëjta gjë do të ndodhte edhe me investimet e kompanive.

Nëse i lejoj vetes të spekuloj, sipas një përllogaritjeje shumë të përgjithshme, do të bëhej fjalë për një shuarje të pasurisë që do të arrinte në rreth 10 miliardë euro për të gjithë ekonominë. Kjo do të ishte shumë më e lartë sesa humbja që shkaktoi kriza e piramidave në vitin 1997.

Përfundimisht, sot kapitali që vjen nga jashtë ekonomisë është si tumori që ka pushtuar organet jetësore të trupit dhe që nuk mund të hiqet në mënyrë kirurgjikale, pasi pacienti mund të vdesë.

Detoksikimi i ekonomisë nga paraja e pistë kërkon strategji të qartë, ndërprerje graduale që të zgjasë për disa vjet, minimalisht pesë vjet, dhe, ndërkohë, fuqizimin e burimeve zëvendësuese të parasë së pistë, përmes eksporteve të prodhimit dhe të shërbimeve që do të gjenerohen brenda ekonomisë./Monitor