Edi Rama, tur “justifikimesh” në Diasporë

Kryeministri Edi Rama do të nisë të dielën e 12 Majit turin e tij në diasporë, ku ndalesa e parë do të jetë Athina, për të vijuar më tej në 26 Maj në Milano, 2 Qershor në Londër dhe 16 Qershor në Duseldorf.

Por përpara qytetarëve shqiptarë që jetojnë nëpër botë, Rama do të shkojë me “duar në xhepa”, pasi premtimet e bëra ndaj tyre nuk janë mbajtur. Vota e Diasporës është një nga kërkesat për vite me radhë të emigrantëve, por deri më sot ka patur vetëm tentativa të dështuara.

Në takimin me shqiptarët që jetojnë në Luksemburg në muajin shkurt, Rama e bëri të qartë se vota e emigrantëve nuk do të mundësohet edhe në zgjedhjet e vitit 2025, pasi sipas tij, mungon baza e të dhënave. Por pikërisht për këtë bazë të dhënash ai kishte premtuar që në tetor të vitit 2017 se do të ishte gati brenda një viti.

Kanë kaluar 6 vite, por sërish justifikimi për pamundësimin e votës së emigrantëve do të jetë i njëjtë, mungesa e bazës së të dhënave.

Sigurisht që në takimet me shqiptarët, Rama do të flasë për turizmin dhe numrin e madh të turistëve që erdhën dhe do të vijnë në Shqipëri edhe këtë vit, pasi duket se turizmi po ngelet i vetmi mjet propagande për kryeministrin.

Në një kohë kur emigrimi ka kapur shifrat më të larta, është ulur numri i lindjeve dhe papunësia është rritur, Rama pritet që t’u kërkojë emigrantëve që të kthehen në Shqipëri, siç po bën thuajse në çdo konferencë.

Mazhoranca dhe opozita e kanë futur votën e emigrantëve në rendin e diskutimeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, por siç ka ndodhur gjithmonë, nuk pritet të ketë ndonjë marrëveshje dhe as ndonjë mundësim të votës së diasporës.

Vetëm pak ditë më parë disa qytetarë shpalosën në Kuvend një banderolë ku kërkonin që diaspora të votonte, por menjëherë Garda e Republikës u doli përpara, në mënyrë që deputetët të mos e shihnin atë banderolë që u vret sytë.

Për politikën, vota e emigrantëve do të shërbejë gjithmonë për premtimet elektorale, pasi nëse do të kishte një përpjekje të vërtetë, do të mundësohej brenda pak muajsh.

Në situatën që janë sot mazhoranca dhe opozita, vota e emigrantëve është ajo çfarë nuk i duhet Ramës, për të mos i prishur balancat që ka krijuar në këto 11 vite.