Edhe vjedhjen e shqiptarëve po e cilësojnë “sekret shtetëror”

Komisioni Hetimor Parlamentar për vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS u ngrit pas një dakordësie mes mazhorancës dhe opozitës, që këta ta fundit t’i jepnin fund aksionit opozitar dhe kaosit në Kuvend, që zgjati për rreth 6 muaj.

Komisioni filloi punën seriozisht, me opozitën që kërkoi të pyeteshin edhe zyrtarët më të lartë të shtetit, nga ish-ministri Bledi Çuçi, deri te kryeministri Edi Rama, të cilët do të duhej të përgjigjeshin për këtë skandal të madh.

Por në mënyrë të papritur, me propozimin e Partisë Socialiste, opozita pranoi që nga lista e dëshmitarëve të hiqeshin si Bledi Çuçi, ashtu edhe Edi Rama. Dje, si dëshmitar në këtë Komision u thirr Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe Ervin Muça, ish-shefi i IT në Policinë e Shtetit.

Me një kërkesë të momenteve të fundit, Taulant Balla kërkoi që dëshmia e tij të bëhej me dyer të mbyllura, për shkak të informacioneve të konsideruara si sekret hetimor. E njëjta gjë ndodhi edhe me Ervin Muçën, ndërsa Muhamet Rrumbullaku e dha dëshminë me dyer të hapura, por nuk iu përgjigj pyetjeve që i konsideroi “sekret shtetëror”.

Sot, skandali i vjedhjes së të dhënave të sistemit TIMS po hetohet nga Prokuroria e Posaçme, ka një të arrestuar, Ervin Muçën, dhe disa të pandehur, teksa gjithçka që ka ndodhur me vjedhjen e të dhënave të TIMS është bërë publike në media.

Madje, ky skandal u bë publik fillimisht në media, përpara se kryeministri Rama, ministri Balla dhe institucionet të pranonin se skandali i publikuar ishte i vërtetë dhe vetëm pas disa javësh Prokuroria hapi çështjen pas kallëzimit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Qytetarët janë të informuar mbi atë që ka ndodhur në orët e vona të natës së vjedhjes së të dhënave të TIMS, si dhe kanë mësuar emrat e autorëve dhe bashkëpunëtorët e tyre, por sërish politika vijon ta cilësojë këtë çështje si “sekret shtetëror”.

Si mund të jetë “sekret shtetëror” dëshmia e ministrit për një çështje që tashmë është publike? Çfarë të dhëna ka më shumë ministri, dhe nëse ka, përse nuk i ka çuar në SPAK, por pret që t’i thotë në Komisionin Hetimor Parlamentar?

Termi “sekret shtetëror” ka mbuluar shumë afera korruptive të këtij pushteti në më shumë se 10 vite, duke filluar nga blerja e vaksinave apo tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë në kohën e pandemisë.

Por, politika nuk mund të fshihet pas një termi, që pas “përgjegjësisë individuale”, ka filluar të përdoret masivisht për t’iu shmangur përgjegjësive publike, që qytetarët të mos kuptojnë se sa shumë dhe sa shpesh vidhen çdo ditë.

Vjedhja e shqiptarëve nuk është sekret shtetëror!