Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka thënë sot së më 11 Maj vota e saj do të jetë për Ilir Metën, me të cilin është në proces divorci. Jashtë dyerve të Kuvendit, ajo tregoi mbështetjen për ish-bashkëshortin e saj si një nga njerëzit kryesor të stabilizimit dhe jetës politike në Shqipëri.
“Jam këtu si deputete si një nga themelueset e LSI, gjithmonë kam marrë mandate në zonat më të vështira, patjetër vota ime do të shkojë për Aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe Ilir Metën, si kreu i PL dhe si një nga njerëzit kryesor të stabilizimit dhe jetës politike në Shqipëri. I bëj thirrje miqve të mi ta mbështesin”- u shpreh Kryemadhi.
Ajo u pyet edhe largimin e Endrit Braimllarit nga PL dhe kandidimin e tij di deputet i Partisë Socialiste. Kryemadhi tha se Braimllari që deri dje denonconte inceneratorët, ka pranuar të ‘digjet’ brenda tyre.
“Për zotin Endrit Brahimllari, i uroj suksese në jetë. Mendoj që para 6 muajve ulëriste për inceneratorin, nuk do të besoj se do të shkojë të digjet edhe ai te inceneratori. Megjithatë është e çuditshme, me surpriza dhe të papritura. I bëj thirrje opozitës të tregojë kujdes sepse vërtet Edi Rama ka vendosur emra anonim në lista, por mos të harrojmë se paratë e krimit, paratë e drogës, administrata shtetërore do të jetë ajo që do të çojë të gjithë grupin e manipulimit të saj drejt kutisë së votimit. Puna është e vështirë, kërkon konsolidim, kërkon bashkim dhe unifikim, dhe aq më tepër sot është edhe më e domosdoshme për të qenë bashkë më këtë proces të vështirë,”- tha Kryemadhi.