Nga Robert Service “The Spectator”
Kanë kaluar plot 100-vite nga vdekja e Vladimir Leninit. Funerali i tij në Moskë, u shënua nga solemniteti zyrtar komunist, sikur të ishte larguar nga kjo botë një Mesia. Tramvajet dhe autobuzët ndaluan qarkullimin, ndërsa të gjitha anijet u ankoruan në porte.
Kur kufoma e tij ende e balsamosur, dhe që sot ruhet ende në mauzoleumin e Sheshit të Kuq, u fut në tokën e akullt, nëpër fabrika ranë për një kohë të gjatë çangat. Ata që nuk ishin të mërzitur nga vdekja e tij, talleshin me të tjerët duke thënë se njerëzit që do të duhej ta duartrokisnin në jetë, po e fishkëllenin kur ai vdiq.
Vladimir Putin nuk e adhuron kujtimin e Leninit. Përkundrazi, ai e konsideron atë fajtorpër vendimin e vitit 1922, që i dha një njohje “artificiale” Ukrainës si shtet, dhe që hodhi themelet për luftën aktuale rreth kufijve dhe zonës së ndikimit rus.
I rritur duke e adhuruar Leninin, sot Putin e përshkruan si një lider të prirur për të bërë gafa të mëdha. Megjithatë, ai nuk bën asnjë koment se si Lenini e vendosi diktaturën në Bashkimin Sovjetik, sesi krijoi sistemin e zgjedhjeve farsë, shtypi lirinë e fjalës dhe si i terrorizonte gjatë gjithë kohës disidentët.
Në fakt, s’ka kuptim që ai të flasë për Leninin, kur siç e dinë të gjithë, ai po bën sot të njëjtën gjë. Putini dhe paraardhësi i tij Boris Jelcin, duhet të vlerësohen që i dhanë fund dekadave të idhujtarisë së shfrenuar ndaj themeluesit të Bashkimit Sovjetik.
Rezultati është se sot shumica e të rinjve rusë, gati nuk janë të vetëdijshëm për procesin e shpëlarjes së trurit që iu nënshtruan prindërit dhe gjyshërit e tyre në shkollë dhe vendin e punës. Parullat si “Përpara Revolucioni Komunist Botëror” janë harruar.
Në vend të imazheve të Leninit me një mjekër si të dhisë, shihen kudo reklamat e mallrave të konsumit të gjerë. Sot ato janë kryesisht mallra ruse dhe kineze, për shkak të largimit të markave të famshme perëndimore si Apple, Ikea dhe McDonald’s, që pas fillimit të pushtimit të Ukrainës në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Udhëheqësit kinezë vazhdojnë të shprehin respekt për Leninin, edhe pse ata shfaqin më shumë nderim për Mao Ce Dunin dhe Ten Hsiaopinin. Në fakt, Lenini mbetet një nga të huajt e paktë në panteonin bashkëkohor të Pekinit. Edhe në vendet ish-koloniale, ai vazhdon të mbahet mend me dashuri nga disa intelektualë për thirrjet e tij për t’ii dhënë fund imperializmit.
Por këta të fundit harrojnë se në sytë e udhëheqësve kombëtarë gjeorgjianë dhe ukrainas, Lenini ishte vetë një nga imperialistët më të këqij të shekullit XX-të. Lenini, që e përshkroi perandorinë ruse si një “burg të popujve”, nuk mbajti kurrë një referendum popullor nëse njerëzve u pëlqente të ishin pjesë e sistemit komunist.
Në vendet perëndimore, shumë pak parti komuniste ekzistojnë ende, dhe më shumë në forumet e ndryshme në internet. Në vitet 1970, ishte e vështirë të ecje nëpër një qytet italian pa parë një parullë që thoshte “Viva Lenin!” (Rroftë Lenini). E njëjta gjë ishte e vërtetë edhe për Parisin.
Kultura në të majtën politike përqafoi një mori personazhesh që cilësoheshin heronj. Dhe jo vetëm Lenin, por edhe Çe Gevarën, Fidel Kastron dhe Hi Shi Minin. Asnjë prej nuk kundërshtoi ndonjëherë arrestimin e kundërshtarëve politikë.
Të gjithë u justifikuan për krimet e tyre, sepse u tha se ata u përballën me guxim me një rrethim të padrejtë gjeopolitik. Në rastin e Leninit, shpeshherë ka mbizotëruar argumenti se ai ishte thjesht i pafat që vdiq në një moshë mesatare, përpara se të parandalonte ngjitjen e Josif Stalinit në krye të vendit.
Mikail Gorbaçov dhe reformatorë të tjerë sovjetikë para tij e morën këtë qasje, dhe disa historianë të shquar në Perëndim, e kanë përtypur të njëjtat marrëzi. Por Lenini nuk ishte më i butë. Ai e parashikoi dhe e donte Luftën Civile. Është e vërtetë që ai e kishte nënvlerësuar se sa brutale mund të bëhej ajo.
Megjithatë, ai u bë menjëherë një udhëheqës hakmarrës dhe i pamëshirshëm. Duke e marrë pushtetin në emër të një partie që nuk ishte asnjëherë shumicë në një palë zgjedhje të lira, ai deklaroi se e ardhmja do të vinte përmes diktaturës dhe terrorit. Ai lavdëroi efektivitetin që kishin varjet publike të kundërshtarëve.
Madje i kritikoi ashpër kolegët komunistë, që besonin se duhet të merrnin fund arrestimet arbitrare në fund të Luftës Civile në fillim të viteve 1920. Lenini themeloi komunizmin modern, edhe si ideologji por edhe si sistem shtetëror. Ai ndërtoi një rend shtetëror që më vonë do të quhej totalitar.
Shpiku shtetin njëpartiak dhe imponoi terrorin, një ideologji të vetme, ateizmin si dhe mobilizimin e detyrueshëm të shoqërisë për ta mbështetur atë. Edhe në shtratin e vdekjes, ai nuk u distancua nga asnjëra prej tyre. Ai miratoi ekzekutimin e priftërinjve (gjë që ndodhi) dhe të udhëheqësve rivalë të së majtës (në përgjithësi ndodhi kur pushtetin e mori Stalinit).
Po ashtu miratoi një Kod Civil që garantonte ruajtjen e terrorit. Lenini dëboi nga vendi artistë, poetë dhe filozofë të shquar, duke i cilësuar ata një “llum të rrezikshëm”. Mjerisht shembulli i tij nuk është harruar as pas një shekulli. Vladimir Putini nuk është më komunist. Ai i pëlqen orët, pallatet dhe jahtet e tij luksoze. Megjithatë i ka trashëguar “gjenet” leniniste, duke i trajtuar si “llum” emigrantët rusë që janë shprehur kundër luftës, teksa ka përdorur poloniumin për të eleminuar dhe terrorizuar kundërshtarët politikë.
Poeti komunist Vladimir Majakovski, shkroi një varg që duhej të mësonte përmendësh çdo nxënës shkolle:”Lenini jetoi, Lenini jeton, Lenini do të jetojë!”. Në vitin 1991, kur u shemb Bashkimi Sovjetik, dhe kur u braktis formalisht marksizëm-leninizmi, u duk sikur ishte lënë në harresë vargu i famshëm i Majakovskit. Por historia ushqen misteret e veta zhvillimore dhe ne – ashtu si rusët dhe kinezët – jetojmë dhe do të vazhdojmë të jetojmë me mutacionet e leninizmit.
Shënim:Robert Service, profesor i historisë ruse në Kolegjin Shën Antoni në Oksford, dhe anëtar i Institutit Huver në Universitetin e Stanfordit. Libri i tij më i ri titullohet “Gjaku mbi borë”, mbi Luftën e Parë Botërore dhe Revolucionin Rus.