“Edhe në vitin ’91 u bënë 4 ditë debat”, Erald Kapri-Peleshit: Ky Parlament i ngjan atij të vitit ’45

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka hedhur akuza ndaj kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, për kufizimin e së drejtës së deputetëve për të folur në lidhje me programin qeverisës të 4 viteve të ardhshme.

Kapri solli në vëmendje vitin 1991, kur sipas tij, edhe pse vendi sapo kishte dalë nga diktatura, Parlamenti i parë pluralist zhvilloi debate për 4 ditë.

“U bënë dy javë që është mbledhur ky Parlament, dhe fatkeqësisht këtu deputetët nuk kanë të drejtën minimale, të flasin. Ne nuk kemi patur këto precedentë. Mjafton të kujtoj që edhe në vitin ’91, kur u mblodh Parlamenti i parë pluralist, kur njerëzit ishin ende burgjeve dhe familjet në internim, u bë 4 ditë debat për qeverinë”, tha Kapri.

Deputeti i Partisë Mundësia bëri edhe një krahasim të fortë, pasi tha se Parlamenti i sotëm nuk mund ta anëtarësojë kurrë Shqipërinë në BE, pasi i ngjan më shumë një Parlamenti të vitit  1945.

“Kërkojmë vetëm të flasim. Seanca për programin është një e drejtë Kushtetuese, dhe ju nuk mund të interpretoni të drejtat Kushtetuese. Përmenda rastin e vitit 1991, për të ardhur deri më sot, sepse ky nuk mund të jetë një Parlament që do anëtarësojë Shqipërinë në BE, por i ngjan një Parlamenti të vitit ’45, dhe kjo është fatkeqësi”, shtoi ai.