Ish-deputeti Nard Ndoka ka bërë një deklaratë të fortë, pasi u shpreh se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri nuk do të mbahen në 11 Maj, por në tetor.
Ai tha në A2CNN se kryeministri Rama ka negociuar me qeverinë e SHBA-ve dhe është vendosur që zgjedhjet do të drejtohen nga një qeveri kujdestare, ndërkohë që me këtë shtyrje do t’i jepet edhe më shumë kohë KQZ-së për votën e diasporës.
Ndoka u shpreh se këtë e ka informacion të sigurt, teksa shtoi se jemi në prag të shpalljes së një organizate kriminale të lidhur me kokainën në Shqipëri, që mund të sanksionohet nesër.
“Trump po ndryshon botën. Ai bën çdo minutë një lëvizje për ndryshimin e këtij realiteti dhe për fatin e mirë tonin përfshihet edhe Shqipëria. Nuk është se është vëmendja vetëm te Shqipëria, por ai e ka me gjithë botën. Edhe pjesa e administratës që ishte më parë, padiskutim që kishte një axhendë të tillë. Kërkonin rotacionin, kërkonin që data e zgjedhjeve të shtyhej. Dhe kjo është e negociuar edhe me kryeministrin Rama.
Ja unë e them për herë të parë, e kam shkruar në Facebook që informacionin e kam tepër të sigurt. Që Rama ka në tryezën e tij që zgjedhjet duhet të shtyhen në tetor, që zgjedhjet duhet të drejtohen nga një qeveri kujdestare dhe kjo do të sanksionohet edhe në Kushtetutë. Kjo bëhet që t’i jepet mundësi më tepër diasporës, jo vetëm për çështjen e regjistrimit, por edhe të konsolidimit të këtij procesi. Që t’i jepet më tepër kohë edhe KQZ. Të çlirohemi nga një person që ka mbi kurriz 2 dosje, babloku vetë që është kapur në krim zgjedhor dhe nuk mund t’i drejtojnë këto zgjedhje.
Kemi një hap akoma më përtej, ne jemi në prag të shpalljes së një organizate kriminale të lidhur me kokainën në Shqipëri, që mund të sanksionohet nesër. Personazhe të kësaj bande shkojnë deri afër kryeministrit. Ne kemi shumë surpriza dhe ngjarje përpara, çfarë ne na shpie drejt tetorit për zgjedhjet parlamentare”, tha Ndoka.