E RËNDË/ Me fytyra të mbuluara, policia private dhunon me grushta dhe shkopa gome banorët e Rrjollit

Protesta e sotme e banorëve të Rrjollit është shoqëruar me përplasje të forta fizike me policinë private të paguar nga biznesmeni Bashkim Ulaj.

Këta policë privatë, me fytyra të mbuluara dhe me shkopinj në duar, kanë goditur protestuesit në fytyrë dhe trup.

Edhe këta të fundit kanë kundërpërgjigjur duke i shtyrë, teksa pre e dhunës kanë rënë edhe gratë, në tentativë për të shuar përplasjen mes palëve.

Ndërkohë, në pamjet e transmetuara në ato pak televizione që po e raportojnë ngjarjen, nuk shihet ndërhyrja e asnjë efektivi të Policisë së Shtetit, të cilët duhet të ishin aty për të shmangur konfliktet.

Banorët e Rrjollit po kërkojnë të drejtat e pronave të tyre prej 27 ditësh, pasi biznesmeni Bashkim Ulaj kërkon të ndërtojë një resort turistik, me firmën e Belinda Ballukut, ish ministres së pandehur që akuzohet për abuzime me tenderat nga SPAK.

Edhe pse ka një vendim të Gjykatës së Apelit për pronësinë e një pjese të tokës, sërish punonjësit e Ulajt nuk e zbztojnë, teksa kanë në krah edhe policinë, të cilët jo pak herë kanë shoqëruar banorët e Rrjollit në komisariat.

Banorët kanë kërkuar zgjidhje nga Bashkia e Shkodrës dhe qeveria, por asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë përgjigje, teksa duken të gjunjëzuara ara biznesmenit Bashkim Ulaj.