E pritshme! Kuvendi miraton pr.rezolutën antikorrupsion të PS, 2 deputetë votojnë kundër

Kuvendi ka miratuar me 76 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim projektrezolutën antikorrupsion të PS. Kundër votuan Agron Shehaj dhe Dashnor Sula, ndërsa deputetët e tjerë të opozitës nuk morën pjesë në votim

Votimi u shoqërua me debate të forta, me Gazment Bardhin, i cili hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Ti je mafioz, je pronari i Arben Ndokës. Na e solle këtu dhe bashkë me të u shpallët si dashnorë të drejtësisë, ndërkohë që porosisnit vrasje”, iu drejtua Bardhi kreut të qeverisë.

Menjëherë pas miratimit ka reaguar edhe deputeti Dashnor Sula, i cili e ka cilësuar këtë një skenar ogurzi të pengimit të drejtësisë së pavarur.

Në seancën që nisi në orën 13:00 pati debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi tha në nisje të seancës se ata ishin kundër kësaj pr.rezolute.

Nga Foltorja e Kuvendit, Bardhi tha se Rama në këto vite ka drejtuar një qeveri korruptive, me nepotizëm dhe shpërdorim të fondeve publike. Sipas tij kreu i qeverisë, propozon rezolutë për të luftuar korrupsionin, por veprimet e tij nuk përputhen me ato çfarë ai thotë.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama, ftoi deputetët e opozitës që të votonin draftin e rezolutës antikorrupsion, duke thënë se është e domosdoshme për të mbështetur anëtarësimin në Bashkimin Europian.