Televizioni Italian Rai 3 ka transmetuar mbrëmjen e djeshme intervistën e kryeministrit Edi Rama, ku ndër të tjera është pyetur për takimin dhe lidhjen me biznesmenin Luftar Hysa. Ky i fundit është akuzuar nga mediat meksikane dhe kanadeze si i lidhur me kartelin e drogës Sinaloa, kartelin më të fuqishëm në Meksikë dhe sipas tyre pastron paratë e këtij karteli në pasuri të patundshme apo biznese.
Në 4 tetor të vitit 2020, Luftar Hysa bashkë me Besnik Lulaj, pronarin e Marina Bay në Vlorë, vizituan zyrën e kryeministrit Rama nën shoqërinë e deputetit gjerman të CDU-CSU, Mark Hauptmann dhe Dorian Duçkës, që në atë kohë ka qenë këshilltar i kryeministrit për investime nga jashtë.
Këtë takim kryeministri Rama e ka pohuar për median italiane, por argumentoi se ishte e vetmja herë që e shihte dhe nuk e dinte se kush ishte Luftar Hysa.
I pyetur nëse tani që e mësoi kush është, do të anulojë koncesionin për kazinonë nga Valona Construction, që, sipas autoriteteve kanadeze, është kompania guaskë e Hysës, Rama u përgjigj duke deklaruar se ai nuk është shteti, por kryeministri.
Televizioni transmetoi edhe një deklaratë të ish ministrit Arben Ahmetajt, i cili tha se Rama kishte “pritur bosë të krimit në zyrë”. Kryeministri u përgjigj se takon shqiptarë që i tregojnë se kanë ndërmend të bëjnë diçka (referuar investimeve) dhe ai i mirëpret brenda rregullave, por nëse më pas rezulton se ata i kanë të ardhurat nga një burim tjetër, ka forma të tjera për t’i vendosur para ligjit.
Rai3: Duke hyrë më konkretisht në gjërat për të cilat ka prova të dokumentuara: takimet tuaja me Luftar Hysën. Pse jeni takuar me Luftar Hysën këtu në vitin….
Rama: Një tjetër emër që përmendet si pa të keq. Më fal, po nuk dua të humbas mundësinë për të dalë në transmetim te ju duke përmendur emra, që nuk di as çfarë duan të thonë apo kush janë.
Rai3: Sipas autoriteteve kanadeze është një prej pastruesve më të mëdhenj të parave dhe i kartelit të lojërave të fatit. Këtu në Shqipëri i është dhënë koncesion për një kazino, kështu që flasim për fakte dhe rrethana mjaft konkrete.
Rama: Unë ju them këtë, që ju flisni për Engjëll Agaçin dhe këtu ishte kulmi i emisionit tuaj.
Rai3: Do jua bëj pyetjet për Agaçin.
Rama: Epo, ndërkohë që më flisni për emra që nuk hyjnë fare. Është një fyerje e inteligjencës, të zësh në gojë emra.
Rai3: Po, për mua si gazetar, fakti që kreu i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë takohet me një figurë që, më pas, zbulohet se është pastruesi i parave të kartelit Sinaloa dhe një nga pjesëtarët më të rëndësishëm, për mua ky është lajm dhe unë do t’ju pyes për këtë. Nuk do bëja mirë zanatin tim, nëse nuk do ju pyesja.
Rama: Më falni, unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, më falni, po ju takoheni me Francesco Becchettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj.
Rai3: Unë, sidoqoftë, jam gazetar dhe marr në intervistë kriminelë dhe jokriminelë, ndërkohë ju, si kryeministër, nuk duhet të takoheni me kriminelë.
Rama: Unë nuk takohem me kriminelë, në rregull? Kjo është fyese.
Rai3: Atëherë, distancoheni nga Luftar Hysa?
Rama: Unë as që e di kush është, në rregull? Nuk e di as kush është. Kam takuar njerëz, e përsëris, shumë njerëz, shqiptarë që ikin e vijnë, që duan të takohen, të shohin, me miq e me të tjerë. U thuhet, “në rregull, ejani, çfarë do bëni, si do e bëni”, etj. Megjithatë, fakti që një person edhe në qeveri apo një person që vjen nga jashtë, del nesër që është i kalbur nuk më bën mua përgjegjës që e kam takuar atë apo kam takuar dikë tjetër. Pra, kjo është mënyra sesi bëhet një gazetari që bën pis, që bën pis, sepse…
Rai3: Jo, nuk bën pis, sepse tani do ju bëj këtë pyetje. Duke qenë se tani e dini kush është Luftar Hysa, do ia anuloni koncesionin për kazinonë?
Do e anuloni lejen për Valona Construction, që, sipas autoriteteve kanadeze, është kompania guaskë e Hysës?
Rama: Më fal, e para fare, unë as nuk jap, as nuk anuloj koncesione apo çfarëdo që të jetë
Rai3: Po keni post shtetëror.
Rama: Më fal, po unë nuk jam shteti, jam Kryeministri. Shteti ka strukturat e veta, ka administratën e vet, sepse është siç e thashë më parë. Pra, krimineli italian, i cili është dënuar këtu me 17 vjet, i është drejtuar gjykatës për një problem, që, sipas tij, është krijuar nga ne, ndërkohë që ai pastronte para dhe ka përdorur një fjalë timen, postuar në Tëitter, pasi ishte shprehur prokuroria, si presion kundër lirisë së shtypit. Pra, duhet kaluar përmes rrugës gjyqësore, përmes rrugës institucionale për çdo subjekt, për gjithçka, sepse hetimet janë një gjë, proceset gjyqësore janë një gjë tjetër, vendimet e formës së prerë nga gjykatat janë diçka tjetër dhe po te dilet me shpatë e të flitet qesim, pastaj e gjen veten në situata shumë të parehatshme nga këndvështrimi i shtetit.
Rai3: Pra, duke qenë se keni dhënë një koncesion, keni nisur hetim për këtë shoqëri?
Rama: Ju po më thoni një gjë që vetëm tani e marr vesh, se po ma thoni ju, se as nuk jam në dijeni të kësaj gjëje. Jua përsëris, edhe njëherë, ne, shteti shqiptar nuk jep koncesione, nuk u jep leje, nuk iu jep asgjë kriminelëve. Pastaj, nëse ndokush del se është një person që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për afera, siç ndodh në Itali çdo muaj, ju nuk do ta merrnit kurrë guximin të thoshit, “atëherë, për këtë, kryeministrja italiane që është takuar me atë njeri, është një kriminele”
Rai3: Po, po, kur më pas zbulohet se ka një hetim ndërkombëtar, pezullohet aktiviteti i këtyre shoqërive tregtare, nëse dyshohen si mafioze, që do të thotë se, nëse janë mafioze, nuk ka nevojë as për proces gjyqësor.
Rama: Edhe njëherë, se po i shtojmë fjalë…
Rai3: Jo nuk dua të shtoj gjë.
Rama: … për këtë. Ju po përpiqeni ta çoni intervistën në drejtimin që doni, që do të thotë, të vazhdoni të këmbëngulni te emisioni i mëparshëm, që këtu ka një histori kriminelësh, një histori personazhesh të errëta e kështu me radhë.
Rai3: Nëse kryeministrja italiane do të takohej me njeriun që pastron paratë për kartelet meksikane, do i bëja pyetje të përsëritura breshëri vetëm për këtë aspekt.
Rama: E kuptoj.
Rai3: Kështu që, nuk ka të bëjë me ju e me Shqipërinë.
Rama: E kuptoj, por po jua përsëris. Unë nuk kam takuar asnjë pastrues të asnjë lloj paraje të asnjë pale. Unë jam takuar me shqiptarë, të cilët kanë ardhur tek unë, më kanë thënë që kishin synim të zhvillonin diçka dhe iu kam thënë: “Bëni si të doni, ligji dhe rrugët janë të qarta”. Dhe nuk me duket që ndokush të ketë përftuar ndonjë gjë si favor. Pastaj, nëse del se dikush është i bërë pis, atëherë, këtu ka ligje. Është sekuestrimi, është një gjë a një tjetër. Po është krejt ndryshe, domethënë nuk vjen prej meje. Është drejtësia, është…)
Rai3: Ne kemi përmendur edhe vëllain tuaj, Olsi Rama…
Rama: Që është një tjetër ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka asnjë lidhje, në jetën e dikujt që akuzohet vetëm se është im vëlla, sepse fakti nuk ekziston. Po ashtu, ai ka ngritur edhe padi dhe tani shpresoj që edhe kjo gjë do të sqarohet nga prokuroria e posaçme. Po, e kuptoni? Ju jeni shërbimi publik italian, nuk jeni një kanal shqiptar që bën si të dojë, sepse, në fund të fundit, të flasësh për të tilla gjëra të thuash që, i vëllai, aaa është akuzuar… I akuzuar nga kush, i akuzuar për çfarë? Pastaj, ku janë provat? Pastaj, këto “prova”, janë tani, shpresoj nën hetim.
Rai3: Di që është rihapur hetimi pas emisionit.
Rama: Janë nën hetim, pasi ai ka paraqitur padi për shpifje, kështu që këtu i duhet lënë në dorë drejtësisë. Por t’i marrësh gjëra të tilla e të formosh një mozaik me copëza që janë të gjitha gjysmë të vërteta. Janë të gjitha gjysmë të vërteta dhe për këtë arsye gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha, mashtrimet më të mëdha.