E PAPRITUR/ Lindita Nikolla jep dorëheqjen si kryetare e Kuvendit

Seanca maratonë në Kuvendin e Shqipërisë ditën e sotme është shoqëruar nga një lajm i papritur. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra.

Ajo u shpreh se ky vendim ka ardhur për shkak të një situate shëndetësore që ia bën të pamundur vazhdimin e detyrës.

Në fjalimin e saj para deputetëve, Nikolla tha se nuk do të donte të spekulohej mbi arsyet e largimit të saj, teksa falenderoi kryeministrin Rama dhe të gjithë deputetët.

Sot mbyllet shërbimi im trevjeçar në kryer të Kuvendit si rezultat i një situatë shëndetësore që ma bën të pamundur mbajtjen e detyrës.

Jam përpjekur të jap më të mirën çdo ditë për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij kuvendi pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë.

Nëse me ndokënd kam gabuar i kërkoj ndjesë. Nëse në momente të caktuar kam qenë e detyruar të marr anën e arsyes nuk e kam bërë si palë, por si e para mes 140 të barabartëve. Përtej akteve të politikës teatrale, më mbetet ndjesia e mirë e respektit.

Ju falenderoj të gjithëve dhe shpresoj të gjithë të kenë të njëjtën mbresë si unë. Falënderoj administratën  e Kuvendit. Ju uroj me gjithë zemër të keni motivimin dhe të përfaqëson shqiptarët. E mbyll me lutjen të mos spekulohet me largimin tim të pashmangshëm  nuk ka asnjë më njerëzore se sa pamundësia që më shtyu të marr këtë akt.

Falënderoj zgjedhësit që më dhanë mundësi të marr pjesë ne Kuvend. Do kem më shumë kohë për familjen dhe zgjedhësit. Falënderoi kryeministri Rama. Gjithë të mirat për ju dhe familjet tuaja. Faleminderit të gjithëve”, tha Lindita Nikolla.