“E papranueshme”- Zv.presidenti i PE reagon për dhunën e policisë ndaj protestuesve

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian Nicolae Ștefănută, njëherazi edhe eurodeputet ka reaguar lidhur me dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë ditës së sotme në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai publikoi pamje nga ndërhyrja e policisë gjatë protestës duke shkruar:“Dhuna policore ndaj protestuesve është e papranueshme”.

Eurodeputeti Nicolae Ștefănută para pak ditësh ishte në Tiranë ku foli edhe në protestën qytetare para kryeministrisë.

Duke folur për mediat, ai deklaroi se kishte ardhur në Shqipëri për tu njohur me faktet.

‘Para së gjithash, jemi këtu për të mësuar faktet. Mendoj se të gjithë anëtarët e Parlamentit Europian, edhe unë si nënkryetar, duhet t’i njohim faktet.

Duhet të dëgjojmë çfarë thonë njerëzit dhe të kuptojmë se çfarë ndiejnë. Do të takohemi me organizata të shoqërisë civile, me institucione dhe do të vizitojmë vende të ndryshme.

Jemi këtu edhe për të mbështetur qytetarët, sepse ky flamur, simbolizon bashkimin e popujve. E di që shqiptarët duan me dëshpërim të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.

Mendoj se ata e meritojnë anëtarësimin në BE, por meritojnë gjithashtu shtetin e së drejtës dhe drejtësinë, ashtu si në Europë.’, është shprehur zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian Nicolae Ștefănută.