Gjykata e Strasburgut ka dalë sot me një vendim për çështjen e Aleks Nikës, një nga 4 të vrarët në protestën e 21 janarit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjykata ka vlerësuar se ka patur shkelje të së drejtës për vrasjen dhe për hetimin e saj.
“Në çështjen Nika kundër Shqipërisë, Gjykata vlerësoi se kishte pasur shkelje të së drejtës për jetë dhe hetim.
Çështja kishte të bënte me vdekjen e bashkëshortit dhe babait të aplikuesve, pasi ai ishte qëlluar me plumb në kokë gjatë një demonstrate përpara zyrës së Kryeministrit shqiptar. Protesta kishte rezultuar në konfrontime të dhunshme mes demonstruesve dhe autoriteteve. Pala paditëse pretendoi në veçanti se komandanti i përgjithshëm i Gardës Kombëtare, i ngarkuar me mbrojtjen e zyrës së Kryeministrit, kishte urdhëruar njerëzit e tij të hapnin zjarr ndaj protestuesve.
Gjykata konstatoi se çështja e përgjegjësisë së mundshme komanduese nuk kishte marrë përgjigje në hetimin që pasoi, i cili ishte fokusuar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës Kombëtare dhe jo në sekuencën ose natyrën e ndonjë urdhri të dhënë nga ata në zinxhirin e tyre komandues. Autoritetet nuk kanë treguar se përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare që kishte rezultuar në vdekjen e të afërmit të paditësve kishte qenë absolutisht i nevojshëm. Në të vërtetë, vetë qeveria shqiptare pranoi se përdorimi i forcës ka qenë i tepruar”.
Çfarë ndodhi më 21 janar
Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë. Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion. Në video përgjim Ilir Meta kërkonte favore për tenderin e ndërtimit të një hidrocentrali. Aty përmendej shifra 700 mijë euro. Meta asokohe e quajti videon montazh të bërë nga krimi i Edi Ramës dhe fillimisht refuzoi të dorëhiqej. Edi Rama kërkoi dorëheqjen e gjithë qeverisë Berisha-Meta që ai e quante të korruptuar. Ai thirri të gjithë popullin për një protestë më 21 janar. Protesta u zhvillua dhe qytetarët e indinjuar u përleshën me policinë. Ata tentuan të futeshin në KryeministriGarda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.
Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.