Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e 52-vjeçares Kozeta Teço në qytetin e Pogradecit.
Sipas policisë, 31-vjeçari Ilirjan Selmani ka vrarë partneren e tij 52-vjeçare duke e goditur mbi 50 herë me thikë.
Pas krimit, ai ka pastruar gjurmët e gjakut dhe i ka vënë zjarrin banesës për të fshehur provat. Fillimisht ai mohoi përfshirjen në vrasje, duke pretenduar se kishte qenë në Korçë në momentin e ngjarjes.
“Peshqirët me gjak i hodha në mbeturina duke menduar se mos në apartament ishte therur ndonjë pulë sepse bashkëjetuesja ishte e fiksuar pas pastërtisë”, ka raportuar ai.
Megjithatë, pas ballafaqimit me pamjet filmike, provat fizike dhe eksperimentin hetimor, ai pranoi disa episode, por jo autorësinë e krimit.
Ai ka deklaruar se me viktimën ishte prej tre vitesh i lidhur.
“Besoj në Zot. E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës”-ka deklaruar ai.
Autori deklaroi se viktima ishte bërë e dhunshme kohët e fundit për shkak të alkoolit. Ndaj tij do të kryhet edhe një vlerësim psikologjik.