E gjithë dinamika dhe reagimet e plota mbi ngjarjen e rëndë në Veri të Kosovës

Një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë mbetën të plagosur gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe, në një ngjarje që mund të rrisë tensionet me Serbinë, në një periudhë përpjekjesh të vështira për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Policia tha së në orët e hershme të mëngjesit njësitë e saj për reagim të shpejtë e kanë vërejtur se në një urë në hyrje të fshatit Banjskë, janë vendosur dy kamionë pa targa duke e bllokuar lëvizjen. Tri njësi të policisë që shkuan në vendin e ngjarjes u qëlluan me armë zjarri përfshirë bombat e dorës dhe predha nga minahedhësi, me ç’rast u goditën dy zyrtarë policorë.

Autoritetet thanë se rreshteri i policisë Afrim Bunjaku nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga pasojat e plagëve që pësoi gjatë sulmit.

Sulmuesit sipas autoriteteve u vendosën në dhe përreth manastirit të fshatit Banjskë ku ndodhi sulmi dhe gjatë tërë ditës pati shkëmbim zjarri me policinë.

Në orët e mbrëmjes ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se situata është vënë nën kontroll. Ai tha se tre nga sulmuesit janë vrarë, ndërsa janë arrestuar gjashtë persona, dy prej të cilëve të plagosur që ishin me uniforma dhe të armatosur, ndërsa katër të tjetër u gjetën me radiolidhje, që sipas policisë dyshohet se ishin në lidhje me grupin sulmues.

“Me këtë rast policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, armatim këmbësorie, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada dhe lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë. Do të thotë përgatitjet ishin që që në mënyrë masive të sulmojnë policinë e Kosovës, të sulmojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht të cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, tha ministri Sveçla.

Ai tha se policia është duke kontrolluar edhe disa dhjetëra pelegrinë që ndodheshin në manastir për të vërtetuar nëse ndonjë nga sulmuesit është fshehur mes tyre.

Policia e Kosovës tha se për shkaqe sigurie ka mbyllur dy vendkalimet kufitare me Serbinë në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.

Paraditen e së dielës kryeministri Kurti i cili mblodhi Këshillin e Sigurisë tha se janë të paktën “30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.

Në një konferencë me gazetarë në Prishtinë së bashku me zëvendësdrejtorin e policisë së Kosovës Fehmi Hoti, ai shpalosi fotografi ku shiheshin persona të armatosur dhe makina të blinduara afër manastirit ortodoks në fshatin Banjskë.

“Kjo autoblindë nuk është e policisë së Kosovës”, tha kryeministri Kurti duke treguar pamjet e makinave pa targa. “Janë automjete që nuk i posedojnë serbët lokal dhe askush që është civil në Republikën tonë”, tha ai.

“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen”, tha Kryeministri Kurti përmes një shkrimi në rrjetet sociale.

Ai tha se qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur “krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. “Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës”, shkroi ai.

Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë e dënoi ashpër sulmin, duke vlerësuar se “ky është një incident i rëndë me implikime potencialisht të gjera. Prandaj, është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin”.

Dioqeza Rashkë Prizren, duke i shprehur ngushëllime familjes së oficerit të vrarë, shprehet “thellësisht e shqetësuar pasi, sipas raporteve të fundit, një grup i armatosur dhe i maskuar depërtoi portat e manastirit në Banjskë duke përdorur një automjet të blinduar. Individë të armatosur dhe të maskuar raportohet se po lëvizin nëpër mjediset e manastirit”.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dënuan vrasjen ndërsa theksuan se po ndjekin nga afër situatën në Banjskë dhe janë të gatshme të reagojnë, nëse kërkohet.

“Komandanti i KFOR-ut është në kontakt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për ta gjetur një zgjidhje”, thuhet në një deklaratë të forcave të KFOR-it.

“Komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në një deklaratë të forcave të KFOR-it.

Në orët e mbrëmjes, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist kundër pjesëtarëve të policisë së Kosovës”

Zoti Borrell, thuhet në një komunikatë të zyrës së tij, “përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në manastirin e Banjskës, që të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe qëndrueshmërisë. VOA