Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të pazakontë ditën e sotme në fjalën e tij para punonjësve të Bashkisë së Tiranës, ku pranoi për herë të parë se ka kryer korrupsion kur ka qenë kryebashkiak i kryeqytetit.
Ai tha se ndërtimet anës lumit Lana i ka prishur duke detyruar ndërtuesit që t’i prishin dhe të largojnë rrënojat, pasi në të kundërt nuk do t’u jepte më leje ndërtimi.
Kryeministri u shpreh se është i gatshëm që të dorëzohet para drejtësisë, pasi këtë korrupsion nuk e ka bërë vetëm një herë, por disa herë.
Të jetë e vërtetë, apo një trillim i Ramës për të sfiduar drejtësinë pasi e konsideron veten të paprekshëm?
Fjala e kryeministrit:
Ato ndërtimet që u prishën në Lanë atëherë, e dini ju si janë prishur, edhe si është pastruar një sasi rrënojash që kapi volumin 138 mijë ton beton. Janë prishur me korrupsion. Kam bërë unë korrupsion.
I kam thirrur ndërtuesit në zyrë, këtu, edhe u kam thënë: Ore, keni dhënë ndonjë lekë ju për lejet e ndërtimit? Ata shikonin se thoshin, “ça, si është puna”? Ore përgjigjuni, keni dhënë ndonjë lekë për lejet e ndërtimit? Ti jo, ti jo! Po mirë, më dini budalla mua, u thashë unë, që merrni leje ju dhe s’jepni asgjë?
Atëherë u thashë, ka ardhur tani koha që t’u paguani ryshfetin qytetarëve të Tiranës. Ua ndava segmentin e Lanës me copa, i thashë merrni buldozerët tuaj, merrni punëtorët tuaj, merrni naftën tuaj, shkoni, prisheni dhe pastrojeni se përndryshe s’merrni më leje ndërtimi.
Dhe në vijën logjike të një sërë hetimeve intensive, jam gati të dorëzohem para drejtësisë. E kam bërë këtë dhe nuk e kam bërë 1 herë, e kam bërë shumë herë.