AMP kallëzon “Operacionalen”, ka përdorur linjë të paautorizuar interneti, dyshohet për transferim të dhënash

Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës Forcën e Posaçme Operacionale, pasi në këtë strukturë është zbuluar një linjë e paautorizuar interneti.

Kallëzimi është bërë në muajin Korrik, teksa ka dyshime të forta se kjo linjë interneti mund të jetë përdorur për transferim të dhënash. Hetimet po drejtohen nga prokurori Dritan Nushi dhe deri më tani janë mbajtur sekret.

Kjo linjë dyshohet se ishte e padeklaruar dhe është përdorur për të mos lënë gjurmë në IP në momentin që një agjent kryente veprime nga ajo linjë interneti. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se linja e internetit ka qenë e instaluar në godinën qendore të forcave operacionale prej më shumë se një viti.

Gjithashtu dyshohet se kjo linjë mund të jetë përdorur për hakërim të dhënash. Kallëzimi është bërë në kohën kur drejtor i “Operacionales” ishte Oltion Bistri, sot i arrestuar pasi u shfaq në dosjet e SPAK si i lidhur me grupet kriminale dhe me biznesmenin Pëllumb Gjoka, porositës i disa vrasjeve.

Në vijim pritet të dalin më shumë detaje në lidhje me këtë çështje, që mesa duket do të sjellë një tjetër skandal në Policinë e Shtetit.