Gjykata e Posaçme ka dënuar me 6 muaj burg Bashkim Dedja-n, ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, me akuzën për fshehje të pasurisë.
Por Dedja nuk do ta kryejë dënimin në burg, pasi do t’i konvertohet në 1 vit shërbim prove. Bashkim Dedja u shkarkua nga Vetting-u në drejtësi për fshehje të pasurisë dhe është i pari ish-zyrtar i Drejtësisë i shkarkuar nga vetting që dënohet nga Gjykata e Posaçme.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) e akuzoi ish-kreun e Kushtetueses se ka fshehur një apartament 60 m2 në zonën e Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë. Pavarësisht se Dedja ka thënë se apartamenti është i vëllait dhe ai e ka patur vetëm në përdorim, kjo nuk është marrë parasysh nga Gjykata.
Ai u akuzua për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme dhe të fshehjes, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.