Arnold Rrokaj, një prej dy të arrestuarve në lidhje me hakerimin e e-maileve të prokurorëve të SPAK ka dhënë dëshminë para grupit hetimor.
Ish-punonjësi i IMT ka thënë se ndërhyri me e-maile për kuriozitet ndërsa pranoi se të dhënat që mori në lidhje me disa çështje ia ka kaluar Zambak Gjonit, edhe ai me profesion jurist, si dhe ish-zyrtar i burgjeve.
Por grupi i hetimit është i bindur që i riu nuk ka thënë të vërtetën, siç raporton gazetarja Anila Hoxha.
Vetë SPAK përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, por pa sukses.
Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK.
Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.