Dy trafikantë tentojnë të kalojnë 32 kg kanabis drejt Greqisë, hedhin drogën kur shohin policinë dhe arratisen

Dy trafikantë kanë tentuar të kalonin përmes kufirit të gjelbër nga Shqipëria drejt Greqisë dy çanta të mbushura me pako me drogë. Por kur kanë parë punonjësit e policisë ata kanë braktisur çantat e krahut dhe janë larguar në thellësi të kufirit.

Nga këqyrja e çantave , grupi hetimor konstatoi se në brendësi të tyre kishte 20 pako të mbushura me lëndë narkotike me peshë totale 32.3 kilogramë.

Një prej dy personave është identifikuar, por raportohet se për arsye hetimi gjeneralitetet e tij nuk bëhen publike. Ndërsa vijon puna për identifikimin autorit tjetër dhe personave të përfshirë në këtë tentativë për trafikim të narkotikëve.

Njoftimi i policise

Korçë/Parandalohet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Parandalimi nga Policia Kufitare në DVKM në  bashkëpunimin me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë. 

Sekuestrohen rreth 32.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Tentuan të transportonin me  dy çanta nëpërmjet kufirit të gjelbër  drejt Greqisë  20 pako me lëndë narkotike kanabis, shpallet në kërkim 1 shtetas dhe vijon puna për identifikimin edhe të autorit dhe kapjen e  tyre.

Shërbimet e Seksionit për Hetimit  në DVKM dhe patrulla e Policisë Kufitare  që patrullonin në vijën kufitare  me Greqinë  mbi fshatrat Vidohovë dhe Ponçarë të Devollit , midis piramidave  43 dhe 44, kanë konstatuar në largësi dy shtetas që transportonin dy çanta ku dyshohej se brenda tyre  kishte lëndë narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të tyre dhe kanë njoftuar dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

Dy shtetasit që transportonin çantat kur kanë parë punonjësit e Policisë kanë braktisur çantat e krahut dhe janë larguar në thellësi të kufirit , ku janë njoftuar edhe shërbimet e Policisë Kufitare Greke.

Nga këqyrja e çantave , grupi hetimor konstatoi se në brendësi të tyre kishte 20 pako të mbushura me lëndë narkotike me peshë totale 32.3 kilogramë.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë  kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej personave të dyshuar që transportonte lëndën narkotike  ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije gjeneralitetet  e tij.

Vijon puna për  identifikimin  autorit tjetër dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë për trafikim të narkotikëve 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.