Dy “lapsuset” njerëzore që futën në burg Dakon. Gabimet fatale që legalizuan 4 katet pa leje dhe i dhanë 183 mln lekë kompanisë së Ajkid Topores


Nga Elton Qyno

Vangjush Dako, ish-kryetari i Bashkisë Durrës i cili u ndalua pasditen e djeshme pasi gjykata vendosi masën e “arrestit në burg”, mëngjesin e sotëm është vizituar në ambientet e burgut 313 nga avokati i tij, Petrit Ismaili. Dako dhe personat e tjerë të arrestuar, pritet që nesër të dalin përballë gjyqtarit Erion Bani, për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” dhe “arrest shtëpie”, që ka kërkuar prokurori i çështjes, Sotir Kllapi.

Në takimin me avokatin në ambjentet e burgut Nr.313, Dako është shfaqur i tensionuar, duke pretenduar se arrestimi i tij është i tepruar për shkak se ai asnjëherë nuk i është shmangur drejtësisë penale. Vangjush Dako, dhe ish-drejtori i Urbanistikës Adhurim Qehajaj si dhe juristja e bashkisë Edlira Kërtusha, akuzohet nga SPAK se kanë abuzuar dy herë me detyrën.

Herën e parë ata kanë abuzuar me lejën ndërtimore të një pallatit 11 katësh, ku 4 kate janë ndërtuar pa lejë, duke i hapur rrugën legalizimit dhe hipotekimit të objektit të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.

Në dosjen hetimore SPAK thotë se: “…personat nën hetim Vangjush Dako dhe Adhurim Qehajaj, nëpërmjet zbardhjes së vendimit për miratimin e destinacionit të sheshit të ndërtimit në 14 Tetor 2014, të formularit Nr. 2 që pasqyron këtë fakt, dhe nëpërmjet zbardhjes të vendimit të K.RR.T për miratimin e lejes së ndërtimit, dy vjet pasi objekti kishte përfunduar së ndërtuari fakt ky për të cilin ishin vënë në dijeni më parë dhe nga Inspektimi i Inspektoriatit Urbanistik Vendor, në kundërshtim me ligjin për territorin, jo vetëm që nuk kanë marrë masa për mbrojtjen e territorit në varësi të tyre, por i kanë kryer këto veprime, me qëllim për të legalizuar ndërtimin e paligjshëm, dhe duke i hapur rrugë regjistrimit në regjistrat e pasurive të paluajtshme…”.

Ndërkohë rasti i dytë, ku Vangjush Dako është përfshirë në abuzim me detyrën është episodi i një tenderi të vitit 2013, me objekt “Projekt zbatimi për Promenadën Detare dhe plazhin nga Bërryli deri në Currila“ me fond limit 21 milionë lekë me TVSH.

Pas zhvillimit të procedurës së prokurimit, fituese e tenderit u shpall kompania “Sphaera” e biznesmenit Ajkid Topore me ofertë 20 milionë e 988 mijë lekë. Por në këtë rast fondi limit është fryrë 10 herë mbi vlerën reale, duke shtuar në mënyrë artificiale sipërfaqen e ndërtimit të këtij tenderi, nga 2.04 hektarë në 20.4 hektarë. Për shkak të kësaj fryrje artificiale, kompania “Sphaera” e biznesmenit Ajkid Topore, ka marë nga buxheti i bashkisë Durrës 183 mln lekë të vjetra më shumë. Këtë gabim e ka pranuar dhe vetë Diana Dedaj, e cila në prokurori por edhe kur ka dhënë shpjegime para Kontrollit të Lartë të Shtetit,ka pranuar se ishte bërë një gabim apo lapsur njerëzor dhe se në këtë rast nuk ka pasur asgjë të qëllimshme apo të planifikuar.

Projekti u mor në dorëzim nga Bashkia Durrës në tetor të vitit 2014. Sipas kontratës, Bashkia do të shlyente 60 për qind të vlerës së kontratës me marrjen në dorëzim të projektit, ndërsa 40 për qind të tjera në momentin e zbatimit të projektit.
Sipas kësaj klauzole, kësti i parë, që në vlerë ishte 12.6 milionë lekë u pagua në datën 24 tetor 2014. Ndërkohë në qershor të vitit 2015 në Bashkinë e Durrësit mbërrin një grup audituesish nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Pasi marrin nën auditim bashkinë, audituesit e KLSH-së konstatojnë anomalinë e tenderit dhe faktin se fondi limit i tij ishte rritur 10 herë mbi vlerën që parashikonte Vendimi i Këshillit të Ministrave në fuqi “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit.”
Audituesit e KLSH i dërgojnë raportin paraprak me gjetjet e kontrollit Bashkisë së Durrësit, përfshirë gjetjen për anomalinë e tenderit “Projekt zbatimi për Promenadën Detare dhe plazhin nga Bërryli deri në Currila.“
Pas marrjes së observacioneve nga Bashkia e Durrësit, KLSH përpilon raportin përfundimtar të Kontrollit, duke nënvizuar dhe lënë rekomandim Bashkisë së Durrësit si më poshtë:

“…bashkia e Durrësit të marrë masa për të kërkuar mbrapsht nga shoqëria Sphaera dëmin prej 18.3 milionë lekësh…”.

Por sipas SPAK, edhe pse ishte njohur me këtë fakt, 6 muaj pas raportit të KLSH, Bashkia e Durrësit pagoi në llogarinë e kompanisë Sphaera edhe këstin e dytë, pra 40 për qindëshin e mbetur të kontratës me vlerë 8.4 milionë lekë.
Në dosjen hetimore, SPAK thotë se Bashkia kishte dijeni të plotë edhe nga raporti i KLSH-së që fondi i kësaj kontrate ishte fryrë me 10 fish. Por pavarësisht kësaj ajo pagoi edhe këstin e dytë për kompaninë Sphaera.
Ky fakt sipas SPAK dëshmon qartë se anëtarët e grupit të punës, Adhurim Qehajaj, Adnan Toçila, Diana Dedja dhe kryetari i bashkisë Vangjush Dako, me ndërgjegje dhe vullnet kanë kryer veprime të kundraligjshme duke i sjellë shtetit dëmin prej 18.3 milionë lekësh.

Madje sipas SPAK, në kohën kur ka ndodhur fakti penal, ish kryetari Vangjush Dako ka autorizuar juristin e bashkisë Ermal Pronjari, që të padisë në gjykatë shoqërinë Sphaera për të marrë mbrapsh paratë.
Por në vitin 2016, Gjykata e Durrësit e mbylli çështjen sepse juristi i Bashkisë Durrës, në cilësinë e palës paditëse nuk u paraqit në gjyq.

Ndërsa zyrtarët e tjerë të përfshirë në këtë dosje, si Ermal Lama, Fatmir Ejupi, Meri Priftuli, Adrian Bulku, Adhurim Qehajaj, dhe Fiqiri Farruku, në saj të pozicionit që ata kanë mbajtur, në bashkëpunim midis tyre dhe me të ndjerin Shaban Karuli, nëpërmjet hartimit dhe nënshkrimit të dokumentacionit tekniko-ligjor të ndërtimit, duke paraqitur të dhëna të rreme në lidhje me kohën kur këto veprime janë bërë.

Dokumentat janë bërë mbi dy vjet pas përfundimit të plotë të objektit, dhe personat e mësipërm me ndërgjegjje dhe vullnet i kanë fallsifikuar këto dokumenta, si për kohën kur ato janë bërë por dhe për thelbin e përmbajtjes së tyre, duke konsumuar veprën penela të “Fallsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”.