Dumani në Bruksel: Pavarësia e SPAK, kushti kryesor që prokurorët të punojnë pa ndërhyrje

Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë vizitës zyrtare në Bruksel në Qendrën Europiane të Politikave ka folur rreth sfidave të punës së SPAK, 6 vite nga krijimi i Prokurorisë së Posaçme. Dumani se vështirësitë ishin që nga organizimi i institucioneve dhe deri te presioni i qytetarëve që kërkonte rezultate nga SPAK.

Vështirësitë kanë qenë të shumta. Ne në dhjetor mbushim 6 vjet. Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucioneve. Një vështirësi tjetër ishte presioni i madh që gjendeshim, i publikut qe kërkonte rezultate, pasi SPAK-u shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”.

Dumani foli edhe për bashkëpunimet e suksesshme me partnerët ndërkombëtarë, duke thëne se kanë ekipe hetimore të përbashkëta.

“Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me kolegët nga Belgjika, Spanja, Gjermania, vendet nordike. Bashkëpunimi ka forma të ndryshme: kemi ekipe hetimore të përbashkëta… Po ashtu kemi bashkëpunim të mirë me Shtetet e Bashkuara, me FBI dhe DEA”.

Kreu i SPAK foli me shifra konkrete për punën e bërë nga Prokuroria e Posaçme duke nisur që nga hetimi i zyrtarëve të lartë dhe deri të shkatërrimi i grupeve të mëdha kriminale.

“76 zyrtarë të lartë të hetuar, dhe rreth gjysma të dënuar me vendim përfundimtar, ndërsa gjysma tjetër ende janë nën hetim ose para gjykatës. Organizata të mëdha kriminale dhe dhjetëra grupe transatlantike janë shkatërruar, falë operacioneve të përbashkëta me partnerët tanë. Rreth 310 milion euro pasuri kriminale janë sekuestruar ose konfiskuar në 5 vite.”

Gjatë vizitës në Bruksel, Dumani nënvizoi se pavarësia e SPAK, është kushti kryesor që prokurorët të punojnë pa ndërhyrje.

“Pavarësia nuk ndodh rastësisht. Ajo kërkon guxim për t’u dizajnuar, disiplinë për t’u mbrojtur dhe profesionalizëm për t’u ruajtur. Pavarësia e SPAC nuk është simbolike. Ajo është kushti kryesor që i lejon prokurorët dhe hetuesit të punojnë pa frikë apo ndërhyrje.”