Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj paraqitet në SPAK

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirilda Karcanaj, është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme.

SPAK është duke hetuar për 12 tendera, që dyshohen se kanë qenë të paracaktuar, që lidhen me  mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme dhe kanë vlera të konsiderueshme.

Për këtë çështje është marrë në pyetje edhe biznesmeni Ermal Beqiri që ka kompaninë “Soft & Solution”, si dhe 25 zyrtarë të AKSHIT, që janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.

Kujtojmë se pak kohë më parë, pasi kishte dhënë dëshminë në SPAK për tenderat korruptivë, një prej ish-zyrtarëve të AKSHI-t, Daniel Shima, u zhduk në mënyrë misterioze për 10 orë dhe familja e tij bëri denoncim në polici.

Pasi u kthye, ai tha se u largua pas një konflikti me partneren, por dëshmia e tij nuk bindi, pasi nuk dha as informacione për mesazhin që i kishte dërguar familjes, ku pretendonte se po arrestohej nga policia.