Monedha Euro vijon të zhvlerësohet në tregun tonë valutor duke arritur në 103.8 ditën e sotme.
Kjo ësht shifra më e ulët ndër vite, ndërsa Banka e Shqipërisë ka njoftuar se nuk do të ndërhyjë pasi vlera e euros vendoset nga tregu. Ndërkohë euro po ulet aq shumë sa është gati të barazohet me lekun.
Rënia e fortë e euros në kursin e këmbimit valutor ka ndikime të rëndësishme në ekonominë shqiptare. Kjo rënie duhet t’i bëjë më të lira importet e mallrave dhe të shërbimeve, çka nuk është reflektuar në produktet që blen direkt konsumatori, por nga ana tjetër penalizon eksportuesit.
Edhe operatorët turistikë janë ankuar ditët e fundit pasi janë prekur shumë nga zhvlerësimi i euros.
Mbështetur në të dhënat historike, tendenca rënëse e euros pritet të vazhdojë gjatë verës dhe efekti sezonal mund të arrijë pikën kulmore në fillim të muajit gusht. Kjo pritshmëri mund të shtyjë nga njëra anë për të shitur euro para zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës europiane dhe nga ana tjetër në pritje për të blerë euro, kur kursi të ketë rënë edhe më shumë.
Kursi i euros jo vetëm që ka arritur pikën më të ulët historike, por edhe ritmet e rënies së tij janë më të shpejtat e regjistruara ndonjëherë.