Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, në një intervistë për Revistën Newsbomb ka folur në lidhje me dokumentet që janë të arkivuara në këto dosje dhe presionet që ka patur ky institucion gjatë verifikimit të figurave të ndryshme.
Sipas saj, nga kontaktet që ka patur me persona që kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, një pjesë e tyre kanë shfaqur pendesë dhe keqardhje, por ka patur edhe nga ata që nuk janë ndjerë mirë dhe kanë preferuar të sulmojnë institucionin.
Sula thotë se dokumentet gjenden aty, ndaj askush nuk mund t’i fshihet të shkuarës, por duhet ta pranojë dhe të distancohet nga veprimet që ka bërë, të ndërmarra nën kushte të caktuara gjatë komunizmit.
Pjesë nga intervista:
– Shpesh zgjatimet e dosjeve janë përreth nesh, i hasim në jetën e përditshme, në institucionet ku marrim shërbime. A jeni ndjerë nën presion gjatë këtyre viteve?
Natyrisht, e kemi këtë përballje, sepse marrim vendime për verifikimin e figurave, bëjmë vetting për policinë, për pastërti figure, për dhënie medaljesh. Shpeshherë mendon se këto figura janë gjendur nën presion, kanë qenë të indoktrinuar, të painformuar, nën trysni e nën dhunë. Kemi pasur kontakte me ta. Disa janë ndjerë keq dhe janë justifikuar. Por sot kërkohet keqardhje e pendesë. Një zyrtar që ka pasur rol në Sigurimin e Shtetit, nuk duhet ta fshehë, duhet të tregojë dhe të distancohet nga ai akt që është ndërmarrë në kushte të caktuara.
Në fakt, ne kemi kërkuar një ligj që detyron transparencën e çdo zyrtari, siç është në Gjermani e Poloni. Kjo do ishte emancipuese. Transparenca është rruga që na çon përpara, përndryshe, konflikti mbetet i ngrirë dhe i kalon brezit tjetër.
Nuk mund të them se kam ndjerë presion direkt, sepse tashmë të gjithë e dinë se ka një ligj që po zbatohet. Nga ana tjetër, sigurisht ka individë që nuk janë ndjerë mirë dhe kanë preferuar të sulmojnë institucionin. Procese gjyqësore kemi dhe përgjithësisht i kemi fituar, sepse është dokumenti që vërteton dhe jep siguri. Gjithësesi, mesazhi im është: Sot është koha për pendesë e për keqardhje dhe jo dita për ta mohuar. Dokumentet janë aty dhe nuk mund t’i fshihemi së shkuarës. Secili ka mundësi të ankimojë ose të japë këndvështrimin e vet që ne mund ta administrojmë dhe e vëmë brenda në dosje, dhe kushdo që njihet me dosjen mund të njihet edhe me këtë version. E megjithatë, goditja e institucionit dhe mohimi, nuk janë rruga e duhur.