Në Gjykatën e Posaçme nis sot seanca e parë gjyqësor e procesit në themel për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Të pandehur janë marrë ish-kryeministri demokrat Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe disa të tjerë.
Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi u paraqit në Gjykatën e Posaçme pasi po mbahet seanca, në të cilën ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ai theksoi se procesi në dojsen “Partizani” është qesharak dhe po shërben si “gjueti shtrigash”.
Duke folur me gazetarët, Malltezi theksoi se toka e ish-kompleksit sportiv Partizani ka qenë e pesë familjeve dhe nuk ka qenë asnjëherë tokë shtetërore.
“Kjo është një gjueti shtrigash, qesharake, sepse gënjyen dhe thanë që toka ishte e shpronësuar, por doli që toka është e pronarëve. Nuk ka asnjë letër sesi u bë shteti pronar. Ndërkohë që është dokumenti që prej 100 vitesh ajo është tokë e këtyre 5 familjeve.”, tha ai.
Ai bëri një referencë nga seria e “Harry Potter”, ku theksoi se kryeministri Rama është bërë si Voldemorti, “Ai që nuk duhet t’i përmendet emri”.
“Menjëherë pas urdhrit të Ramës, në kongresin e PS në prill 2022 prokurorët kanë bërë 16 kërkesa brenda muajit në të gjitha institucionet. Ne do të përballemi me këtë çështje, por në thelb është një çështje pa fakt penal që nisi me kallëzim të rremë të Taulant Ballës. Rama për SPAK-un është bërë si Voldemort-i, “he who should be named”, por ne do të përballemi me Voldemortin”, tha ai.
Ai theksoi se do të kërkojnë që kryeministri Edi Rama dhe Taulant Balla të paraqiten për të dëshmuar në procesin e tyre gjyqësor.
Sipas tij, Edi Rama në procedurën e privatizimit të kompleksit “Partizani’ ka 8 firma dhe Berisha asnjë, ndërsa SPAK nuk guxon ta thërrasë.
Ai pohoi se klubi i Partizanit është vjedhur nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.
“Klubi Partizani është vjedhur nga vëllai i Edi Ramës, ndërkohë pronarët kanë marrë tokën që kishin jetë e mot të tyren. Edi Ramën e kemi kërkuar dhe do e kërkojmë.”, theksoi Malltezi.