Dosja “Metamorfoza”/ Lirohen nga burgu ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri dhe ish-prokurori Xhevahir Lita

Trupa gjykuese e përbërë nga Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj ka dhënë sot dënimet për të arrestuarit për fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”.

Në seacën e sotme, GJKKO dënoi me 3 vite burg ish-shefin e Operacionales Oltion Bistri për veprën penale “zbulimi i akteve sekrete”, ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita u dënua me 5 vite burg. Të dy përfituan nga gjykimi i shkurtuar dhe Gjykata urdhëroi lirimin e tyre, pasi e kanë kryer pjesën e dënimit në paraburgim.

Ndërkohë më datë 2 dhjetor, gjykata do të jap vendimin për biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish shefin kundër krimit të organizuar në Shkodër Ardrit Hasanbegaj, pasi avokatët e tyre nuk kanë bërë mbrojtjen.

Po ashtu, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e SPAK për konfiskimin e 1.3 milionë euro pasuri të Bistrit.

Vendimet e gjykatës:

Behar Brajovic dënohet me 13 vite burg, pas përfitimit të 1/3 së dënimit nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë 8 vite e 8 muaj burgim në regjim të sigurisë së lartë. (Akuzat: sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes në dëm të Dorian Duli, Genc Tafili dhe Ibrahim Lici).

Edmond Preka dënohet me 10 vite burg, pas uljes së dënimit, do të vuajë 7 vite burgim.

Asmer Bilali dënohet përfundimisht me 5 vite e 8 muaj burgim.

Oltion Bistri shpallet i pafajshëm për akuzën e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike. Për veprën e “zbulimit të akteve sekrete” dënohet me 3 vite burg, të cilat pas uljes përfundon në 2 vite burgim. Gjykata urdhëron lirimin e menjëhershëm.

Xhevahir Lita dënohet me 5 vite burg, dhe pas gjykimit të shkurtuar dënimi përfundon në 3 vite e 4 muaj burgim. Urdhërohet lirimi i tij, nëse nuk mbahet për vepra të tjera penale.