Publikimi i dosjes zyrtare të Charles McGonigal nga Departamenti Amerikan i Shtetit nxori në pah detaje të rëndësishme të aktivitetit të tij të paligjshëm, si dhe lidhjen e tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Provat e përfshira në dosje tregojnë se McGonigal ka marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga biznesmeni shqiptar Agron Neza, i përshkruar si individ me lidhje të afërta me qeverinë shqiptare.
Gjatë periudhës kur ai ishte ende në detyrë në FBI, McGonigal zhvilloi takime të fshehta në Tiranë dhe në Nju Jork me ish-zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare, teksa raporti konfirmon se ai ka qenë pjesëmarrës në dy darka private me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitave të tij në Shqipëri, të cilat nuk janë raportuar në mënyrë zyrtare, siç kërkohet nga rregulloret e FBI-së dhe ligjet federale.
“Gjatë vitit 2017, McGonigal udhëtoi dy herë në Shqipëri. Në këto vizita, ai zhvilloi takime me Kryeministrin e Shqipërisë, përfshirë një darkë private të organizuar nga një biznesmen shqiptar. Në komunikimet e tij të brendshme, McGonigal i referohet reformës në drejtësi në Shqipëri si një ‘mundësi e madhe’ për angazhim dhe zhvillim biznesi, duke e parë atë në funksion të interesave të tij personale pas daljes nga FBI. Në asnjë rast, ai nuk raportoi këto takime sipas kërkesave ligjore për një zyrtar të lartë të FBI-së”, thuhet në dosje.
Departamenti i Drejtësisë e përshkruan këtë marrëdhënie si pjesë të një skemë më të gjerë korrupsioni ndërkombëtar, e cila përfshin edhe kompani kineze dhe oligarkë rusë. McGonigal dyshohet se ka vepruar me qëllimin për të ndihmuar interesa të huaja dhe për të ndërtuar marrëdhënie biznesi në Shqipëri, të cilat do t’i shfrytëzonte pasi të largohej nga detyra publike.
Takimi i McGonigal me Ministrin e Energjitikës dhe paralajmërimi për licencat e naftës
Në dosjen e Prokurorisë amerikane, tregohet se në 7 Shtator 2017, Charles McGonigal ka fluturuar së bashku me Agron Nezën në Shqipëri, ku u takua për disa ditë me të njëjtin ish-ministër shqiptar të energjisë, që dyshohet të jetë Damian Gjiknuri, duke iu referuar datave të përmendura.
Më 9 shtator 2017, në Shqipëri, në takim mori pjesë edhe vetë kryeministri Edi Rama. Ky i fundit u paralajmërua nga McGonigal që të shmangte dhënien e licencave për shpimin e fushës së naftës në Shqipëri për kompanitë e frontit ruse, pasi Agron Neza dhe Ministri i Energjitikës kishin interes financiar në vendimet e Qeverisë së Shqipërisë për çmimet e licencave të shpimit të fushës së naftës.
“Natyra korruptive e sjelljes së të pandehurit ilustrohet më tej nga hapat që ai ndërmori për të çuar përpara interesat financiare të personit A. Siç pranon i pandehuri, më 7 shtator 2017 ka fluturuar me personin A në Shqipëri, ku u takua për disa ditë me të njëjtin ish-ministër shqiptar të energjisë dhe shtetas të tjerë të huaj. Më 9 shtator 2017, në Shqipëri, ai u takua me ish-ministrin e Energjisë dhe Kryeministrin e Shqipërisë. Me kërkesën e personit A, i pandehuri paralajmëroi Kryeministrin e Shqipërisë që të shmangte dhënien e licencave për shpimin e fushës së naftës në Shqipëri për kompanitë e frontit ruse në të njëjtën kohë që personi A dhe ministri i energjisë kishin interes financiar në vendimet e Qeverisë së Shqipërisë për çmimet e licencave të shpimit të fushës së naftës”, thuhet në dosje.
BIRN: Si hetimet nxorën zbuluar përfshirjen e kryeministrit Rama në akuzat ndaj PD-së për paratë ruse
Në 14 Nëntor 2017, lobisti Nick Muzin depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së. Ky rast u përdor nga Charles McGonigal për të informuar Departamentin amerikan të Drejtësisë në 25 Nëntor, pasi një ditë më parë ai kishte marrë informacion mbi lobistin amerikan” nga Dorian Duçka.
Vetëm 2 ditë më herët, BIRN kishte bërë publik faktin se Muzin kishte deklaruar se kishte marrë 500 mijë dollarë nga Partia Demokratike. Ndërsa në janar 2018, ish zyrtari i FBI-së, merr sërish informacion, këtë herë nga shqiptaro-amerikani Neza. Ky i fundit, sipas aktakuzës, e ka marrë informacionin nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë, shkruan Zëri i Amerikës.
Por kryeministri Rama për t’u justifikuar, tha në Parlament se “koha së cilës i referohet ky moment, përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime, nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë, përveç informacioneve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim, të fshehura?”, duke shtuar se “po të kisha patur çfarëdo informacioni, më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizatat partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare”.
Por në fakt, në atë kohë, nuk ishte folur për financime ruse. Shkrimi i botuar nga BIRN nuk merrej fare me këtë çështje, e cila doli në dritë më vonë, në mars 2018, pas dyshimeve të ngritura nga një shkrimi i botuar nga revista amerikane “Mother Jones”.
A po e heton SPAK kryeministrin?
Në SHBA dosja “McGonigal” u trahtua si një nga çështjet më të rëndësishme të Prokurorisë, për vetë rëndësinë e çështjes, për shkak se kishim të bënim me një ish-zyrtar të lartë të FBI-së, që ishte përfshirë në korrupsion madhor.
Ndërkohë, në Shqipëri opozita dhe mediat u munduan të bënin transparencë me atë që kishte ndodhur përsa i përket përfshirjes së kryeministrit shqiptar, por ky i fundit dhe qeveria e tij refuzuan të japin llogari.
Kreu i Prokruroisë së Posaçme, Altin Dumani, ka deklaruar se kanë në hetim edhe dosjen “McGonigal”, por asnjëherë nuk ka dhënë detaje se deri ku kanë shkuar këto hetime, teksa end enuk e kanë thirrur kreun e qeverisë të japë dëshminë e tij në SPAK.
Opozita ka bërë thirrje të vazhdueshme për transparencën e kësaj çështje nga SPAK, por deri më tani nuk dihet asgjë, vetëm një njoftim se çështja është nën hetim, pavarësisht se në SHBA, Charles McGonigal u dënua me burg, ndërsa në Shqipëri Edi Rama nuk thirret as për të dëshmuar.
Dosja “McGonigal”, a rrezikon Rama të shpallet “non grata” nga SHBA?
Në 19 Maj 2021, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi shpalljen “non grata” të ish-kryeministri Sali Berisha dhe familjes së tij.
Sipas Sekretarit amerikan të Shtetit në atë kohë, Antony Blinken, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Blinken thoshte se Berisha ishte i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë.
Këto akuza që rëndonin mbi Berishën, nuk kanë sesi të mos rëndojnë edhe mbi Edi Ramën gjatë këtyre 12 viteve të qeverisjes së tij.
Të gjithë e kanë parë sesi qeveria e tij ka shpërdoruar fondet, ka përdorur pushtetin për t’u dhënë bregdetin oligarkëve, e më e rëndësishmja, ka mbrojtur veten, familjarët dhe aleatët e tij politikë (kujtojmë rastin Xhaçka) në kurriz të hetimeve të pavarura dhe përpjekjeve antikorrupsion.
Por, ndryshe nga Berisha, mbi Ramën është një akuzë akoma më e rëndë, bashkëpunimi me një ish-zyrtar të korruptuar të dënuar nga Gjykatat amerikane.
Ndoshta do të jetë e vështirë që DASH të shpallë Edi Ramën “non grata” gjatë kohës kur ai qëndron në pushtet, por sapo të lërë karrigen e kryeministrit, “këmbanat e Amerikës” mund të bien edhe për të.
Sinjali i parë u dha pas fitimit të zgjedhjeve të 11 Majit, në urimin e Ambasadës Amerikane, ku ndryshe nga herët e tjera nuk uroi Ramën dhe partinë fituese të zgjedhjeve, por popullin shqiptar.