Dosja e sterilizimit, ja kush është gjyqtarja që do të vendosë ‘fatin’ e Ilir Beqajt

Flojera Davidhi do të jetë gjyqtarja paraprake që do vendosë mbi “fatin” e Ilir Beqajt për dosjen e sterilizimit.

Pas kalimit të dosjes në gjykatën e posaçme nga SPAK, Davidhi do të vendos nëse do të miratojë kërkesën e prokurorisë për kalimin në gjykim të dosjes, kthimin për plotësim hetimesh ose pushim të akuzave.

Ende nuk është vendosur një datë për mbajtjen e seancës paraprake.

Në total, nëntë persona janë marrë të pandehur. Zyrtari më i lartë nën akuzë është Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë, në kohën kur u dha koncesioni i sterilizimit, një prej më të kushtueshme të sektorit.

Personat e tjerë janë zëvendësi i Beqajt, Klodian Rjepaj, pronari i firmës përfituese të koncesionit nga Ministria e Shëndetësisë, Ilir Rrapaj dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertës.

Gjatë gjykimit paraprak, Gjykata e Posaçme ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj akuzave të prokurorisë, duke konstatuar një lloj amnistie të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili është nën hetim edhe për të tjera çështje të dyshuara korruptive.

Opozita po ashtu ka akuzuar se SPAK po mbron Ilir Beqajn me urdhër të shefit të tij politik, Edi Rama.