Dosja drejt GJKKO/ Kryemadhi gjen unazën e shtrenjtë para SPAK, batuta me gazetarët: Do paguaj avokatin

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur të martën në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, aty ku iu komunikua mbyllja e hetimeve për dosjen ‘Meta’, ku është marrë e pandehur.

Kryemadhit iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë më datë 29 maj të këtij viti, bashkë me Metën.

Prokurorët e SPAK do t’i japin Monika Kryemadhit dosjen e përfunduar të hetimeve. Gjatë komunikimit me median, Kryemadhi theksoi se nuk ka ndërmend të paraqitet personalisht në gjykatë, por do përfaqësohet me avokatët e saj.

“Po bëj gati skenarin për filmin e radhës. Brenda 10 ditëve do bëjmë memon. Më kanë thirrur shtatë herë deri tani, nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj unë më me ata, do të flas në gjykatë. Që në momentin që merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do të bëjnë lojën e tyre ne do të bëjmë lojën tonë”, u shpreh ajo.

Deputetja Kryemadhi pohoi se gjeti një unazë me diamant dhe rubin, sapo kishte zbritur nga automjeti, përballë institucionit të SPAK.

“Gjeta një unazë dhe thoni pastaj që s’jam me fat. Është me rubin dhe me diamant, e kam gurin e fatit unë këtë. Kjo rrugë është nën vëzhgim. E gjeta sapo zbrita,” u shpreh Kryemadhi.

Ajo nuk kurseu as batutat me gazetarët teksa tha se me unazën që gjeti do paguajë avokatin.

“Po e çoj në SPAK, ose të paguaj avokatin. Mund ta ketë hedhur ndonjëra që është zënë, i ka thënë ‘nuk e dua unazën tënde’

Po ashtu, në SPAK u paraqit dhe nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, e cila është marrë e pandehur.  Ish-vjehrra e Metës është marrë disa herë në pyetje gjatë fazës së hetimeve.

SPAK thotë se ka Fatime Kryemadhi ka ndihmuar ish-çiftin të pastrojë paratë. Megjithatë deri në këto momente nuk është e qartë se cilat janë akuzat zyrtare, të cilat rëndojnë ndaj Fatime Kryemadhit.