Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u mbajt seanca paraprake në lidhje me dosjen e njohur si “Buka”, në ngarkim të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
SPAK akuzon Ahmetajn për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ me pasoja të rënda ekonomike.
Kjo seancë erdhi pas vendimit të mëparshëm të GJKKO-së për kthimin e dosjes në Prokurorinë e Posaçme për plotësimin e hetimeve.
Pas kthimit të dosjes, SPAK ka dorëzuar prova të reja, që sipas tij e impikojnë dhe bëjnë përgjegjës ish-numrin dy të qeverisë Rama.
Pas vlerësimit të hetimeve të reja, Gjykata e Posaçme vendosi t’i japë kohë mbrojtjes së Ahmetajt, të cilët po ashtu kanë kërkuar të njihen me materialet e reja.
Sakaq, Gjykata caktoi datën për seancën tjetër, e cila do mbahet më 17 korrik në orën 13:00. Në këtë seancë pritet të merret vendimi për dërgimin ose jo të çështjes për gjykim të plotë.
SPAK e akuzon Arben Ahmetaj se ka shpërdoruar detyrën në procesin e privatizimit të ish-fabrikës së bukës, duke firmosur transferimin e pronës në kundërshtim me vendimet gjyqësore që njihnin si pronarët ligjorë.
Sipas SPAK, ky akt i Arben Ahmetajt ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 7 miliardë lekësh. Ish-zv.kryeministri ndodhet në arrati dhe ka kërkuar azil politik në Zvicër.