Dosja “Balluku”, SPAK merr të pandehur pesë biznesmenë të njohur

Hetimet e SPAK për çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku janë zgjeruar edhe ndaj pesë sipërmarrësve të njohur në fushën e ndërtimit.

Në kuadër të kësaj dosjeje hetimore, në cilësinë e të pandehurve janë marrë Pandeli Carapuli, Arbër Abazi, Ram Geci, Paqsor Buzi dhe Artan Sako. Ata dyshohet se kanë lidhje me procedura tenderimi dhe kontrata të ndryshme publike, të cilat janë vënë nën hetim për parregullsi të mundshme.

Sipas informacioneve të bëra publike, Arbër Abazi dhe Artan Sako janë pjesë e hetimeve që lidhen me tenderin e Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa Paqsor Buzi lidhet me procedurën e prokurimit për Lotin 5 të këtij projekti.

Në fokus të hetimeve është edhe Ram Geci, për shkak të përfshirjes së tij në projektin e ndërtimit të rrugës Porto Romano-Durrës, konkretisht në Lotin 3.

Një tjetër pistë hetimi lidhet me biznesmenin Pandeli Carapuli, i cili është marrë i pandehur për veprën penale të pastrimit të parave. Çështja në fjalë ka të bëjë me një vilë në kompleksin turistik “White Rocks”, në Dhërmi.

Hetimet e SPAK synojnë të zbardhin dyshimet për manipulim të procedurave të tenderimit, si dhe përfitime të mundshme të parregullta nga kontratat publike.