Dosja “Balluku”, SPAK merr të pandehur edhe 5 vartës të zv.kryeministres për tunelin e Llogarasë

Jo vetëm zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe kreu i ARRSH-së Gentjan Gjyli janë marrë të pandehur nga SPAK në lidhje me tunelin e Llogarasë.

Ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili është aktualisht në burg është në mesin e të pandehurve, së bashku me drejtorin e KESH, Erald Elezi, si dhe Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica.

Në total, ka shkuar në 6 numri i të pandehurve për aferën 190 milionë euro të Tunelit të Llogarasë.

Ishte zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila u paraqit të premten e kaluar në SPAK ku iu komunikua akuza “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

Ndërsa paraditen e kësaj të hëne, në Prokurorinë e Posaçme u paraqit kreu i ARRSH-së, Gentjan Gjyli, të cilit po ashtu iu komunikua e njëjta akuzë.

Pjesë e kësaj dosje janë edhe vartës të tjerë të Ballukut, si Elezi dhe dy punonjëset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës.

Sipas një njoftimi të SPAK, Balluku është marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarisë – një segment prej 5.99 kilometrash që i kushtoi taksapaguesve 18.9 miliardë lekë ose më shumë se 190 milionë euro.

Kujtojmë se Balluku është zv.kryeministrja e dytë e Ramës që po përballet me SPAK pas Arben Ahmetajt, me këtë të fundit që është në arrati.