DOSJA “5D”/ SPAK kërkon deri në 11 vite burg për ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për të pandehurit e dosjes “5D”, duke kërkuar dënimin e 7 të personave. Në fokus të hetimit janë tre ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës dhe katër përfaqësues të tjerë të administratës dhe kompanisë “5D”.

Sipas pretencës së SPAK, janë kërkuar këto masa dënimi:

11 vite burg për ish-drejtorin e Ujësjellësit të Tiranës, Redi Molla

9 vite burg për ish-drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Mariglen Qato

4 vite burg për ish-drejtorin e Planifikimit të Punëve Publike, Taulant Tushe

2 vite burg për Albano Janku

Nga 3 vite burg për Enton Punavija dhe Julian Zanaj

7 vite burg për Nestor Muhametllari

Krahas dënimeve me burg, SPAK ka kërkuar që të gjithë të pandehurve t’u ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.

Nga ish-zyrtarët e përfshirë në këtë fraksion të dosjes, aktualisht në burg ndodhet vetëm Mariglen Qato.

Sipas organit të akuzës, Redi Molla dhe Mariglen Qato kanë qenë pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k., duke përdorur persona të tjerë si pronarë fiktivë. Hetimet tregojnë se vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim, kompania ka përfituar 12 tendera nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a., me një vlerë totale rreth 2 milionë euro në periudhën 2016–2020.

Të pandehurit akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Më herët, Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë katër të pandehur të tjerë të gjykuar në proces të ndarë për dosjen “5D”, të cilët u dënuan me shërbim prove dhe nuk do të kryejnë burg.

Bëhet fjalë për drejtoreshën e klubit shumësportësh, Deborah Keçi, si dhe tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave: Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi.

Sipas SPAK, ata kanë krijuar kushte dhe kanë privilegjuar kompaninë “5D” në procedurat e tenderimit, duke cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe duke favorizuar shpalljen e saj fituese.